Bota
SHBA lëshon urdhrin për tarifat doganore me Evropën, Komisioneri i Tregtisë i BE: Përfitime të qëndrueshme për të dyja palët

Në zbatim të Deklaratës së Përbashkët me BE-në, SHBA-të kanë lëshuar një një urdhër ekzekutiv mbi marrëdhëniet tregtare dhe tarifat doganore. Maros Sefcovic, Komisioner i Tregtisë i BE-së, është shprehur se tarifat doganore për automjetet dhe pjesët e këmbimit do të ulen në 15%.
“E mirëpres urdhrin ekzekutiv të SHBA-së si një hap vendimtar në zbatimin e Deklaratës së Përbashkët BE-SHBA. Ai i hap rrugën për uljen e tarifave për makinat dhe pjesët në 15% dhe ofron përjashtime të rëndësishme nga kufiri prej 15%. Duke respektuar së bashku angazhimet tona, ne mund të sjellim përfitime të qëndrueshme për të dyja palët”, tha ai.
Fillimisht, tarifat doganore për makinat fillonin nga 27.5%, me efekt prapaveprues nga 1 gushti 2025. Por ulja aktuale në 15% është pjesë e një marrëveshjeje tregtare midis SHBA-së dhe BE-së të zyrtarizuar në gusht të këtij viti.
Komisioni Evropian eliminoi tarifat doganore për produktet industriale të importuara amerikane në këmbim të një uljeje të taksave amerikane për makinat dhe pjesët e tyre evropiane.

