Connect with us

Bota

SHBA mund të godasë objektiva ushtarake në Venezuelë

Administrata e presidentit Donald Trump ka identifikuar objektiva të mundshme ushtarake në Venezuelë, që sipas Washington-it përdoren për kontrabandë droge, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë të njohur me çështjen.

Sipas raportimit, nëse presidenti Trump vendos të autorizojë sulme ajrore, objektivat do të synojnë të dërgojnë një “mesazh të qartë” për liderin venezuelas Nicolás Maduro se “është koha të tërhiqet nga pushteti”.

Zyrtarët kanë theksuar se, edhe pse nuk është marrë ende një vendim përfundimtar për goditje tokësore, çdo operacion i mundshëm do të fokusohej në pika që lidhen drejtpërdrejt me rrjetet e trafikut të drogës dhe strukturat e regjimit të Maduro-s.

Sipas WSJ-së, objektivat nën shqyrtim përfshijnë porte dhe aeroporte nën kontrollin e ushtrisë venezuelase, që dyshohet se përdoren për transportin e kokainës.

Sulme të tilla do të përbënin një përshkallëzim të madh të fushatës amerikane, e cila deri tani është kufizuar në goditje ndaj anijeve të dyshuara për trafik në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor Lindor.

“Presidenti Trump ka qenë i qartë në mesazhin e tij për Maduro-s: ndaloni dërgimin e drogës dhe kriminelëve në vendin tonë”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, duke shtuar se “presidenti është i përgatitur të përdorë çdo element të fuqisë amerikane për të mbrojtur kombin”.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio e ka cilësuar Venezuelën si një “narko-shtet të drejtuar nga një kartel”, duke e krahasuar regjimin e Maduro-s me “al-Qaeda’n e Hemisferës Perëndimore”.

Advertisement