Connect with us

Kosova

SHBA pishman që bombardoi Serbinë, deklarata e madhe e ambasadorit Hill

“Deklarata e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, se “Serbia është partnere më e afërt e NATO-s sesa Kosova” mund të ketë disa kuptime, por në thelb ky artikulim mund të merret edhe si njëfarë pendese e Amerikanëve për shkak të bombardimeve të Aleancës Veri – Atlantike në vitin 1999 kundrejt Serbisë” – kështu ka thënë Gëzim Visoka, profesori i Universitetit të Qytetit të Dublinit në Irlandë.

Gjeneza e qëndrimit të diplomatit veteran amerikan, për profesorin e asociuar të studimeve të konfliktit dhe paqes buron nga fakti se ndërhyrja e NATO-s për ndalimin e luftës në Kosovë “nuk ka pasur kurrë si synim shkatërrimin, ndëshkimin dhe nënshtrimin e Serbisë”.

“Por, më shumë ka qenë ndërhyrje e kufizuar dhe pjesë e diplomacisë për të ndaluar krizën humanitare në Kosovë” – tha Visoka.

Ai beson se NATO, nuk e ka konsideruar Serbinë si armike dhe pas bombardimeve e ka trajtuar si vend kryesor për stabilitet në rajon duke ri-normalizuar raportet me të dhe pranuar sërish në familjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Brenda anëtarëve të saj ka pasur dhe ende ka shumë shtete që kanë partneritet historik dhe aktual me Serbinë”, shtoi Visoka.

Ndërsa në kuptimin e zhvillimeve aktuale – sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës dhe qasjes së Serbisë për t’u ulur në dy karrige (edhe me Perëndimin edhe me Lindjen) – deklarata e diplomatit amerikan, sipas Visokës, duhet të lexohet edhe si përpjekje e SHBA-ve për ta kthyer Serbinë nga Perëndimi.

Marrë për bazë faktin se konstatimi i Hill-it është i vërtetë në kuptimin procedural – ngaqë Serbia është pjesë e Partneritetit për Paqe (program i bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe NATO-s) dhe Kosova ende jo – Visoka konsideroi se artikulimi i Hill-it mund të përcjellë edhe një mesazh tjetër.

“Mund të lexohet si revizionizëm politik, ku NATO është përafruar më shumë me Serbinë sesa me Kosovën dhe ndoshta është penduar për ndërhyrjen ushtarake në vitin 1999” – argumentoi profesori i Universitetit të Dublinit.

Nga ana tjetër, për ekspertin e sigurisë, Adrian Shtuni, ambasadorët, në këtë rast edhe ai amerikan në Beograd, kanë qasjen dhe arsyet e tyre kur deklarohen publikisht. Por, ajo çfarë mund të konstatohet në këndvështrimin e tij është fakti se historikisht politika dhe qasja e SHBA-ve ndaj Ballkanit dhe Kosovës ka qenë mjaft e qartë.

Advertisement