Bota
SHBA propozon garanci deri në 15000 dollarë për viza turistike e biznesi! Nisma mund të prekë edhe aplikantët shqiptarë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka propozuar një rregull të ri, sipas të cilit aplikantët për viza turistike dhe biznesi mund të detyrohen të vendosin një garanci financiare deri në 15,000 dollarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Masa është pjesë e një programi pilot 12-mujor që synon të kufizojë qëndrimet e paligjshme dhe të forcojë kontrollet ndaj dokumentacionit të aplikantëve nga vende me nivele të larta të tejkalimit të afatit të vizësa, sipas AP.
Sipas njoftimit që do të publikohet të martën në Federal Register, kjo masë do të zbatohet ndaj qytetarëve nga vende që kanë shkallë të lartë të qëndrimeve të paligjshme dhe mungesë të kontrolleve të brendshme mbi sigurinë e dokumenteve. Garancia financiare do të jetë në vlerat 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarë dhe qëllimi është të sigurohet që qeveria amerikane të mos mbajë përgjegjësi financiare në rastet kur vizitorët shkelin kushtet e vizës.
Njoftimi thekson se kjo kërkesë mund të përjashtohet në bazë të rrethanave individuale të aplikantit dhe nuk do të zbatohet për shtetasit e vendeve pjesëmarrëse në Programin e Heqjes së Vizave (Visa Waiver Program), i cili lejon udhëtimin për qëllime biznesi ose turizmi deri në 90 ditë pa vizë. Shumica e vendeve pjesëmarrëse në këtë program janë në Evropë, por ka edhe nga Azia, Lindja e Mesme dhe rajone të tjera.
Ky propozim është pjesë e një sërë masash shtrënguese të administratës Trump për aplikantët e vizave. Vetëm javën e kaluar, Departamenti i Shtetit kërkoi që shumë prej aplikantëve për rinovim vizash t’i nënshtrohen një interviste shtesë në person – një procedurë që më parë nuk ishte e detyrueshme. Gjithashtu, është propozuar që aplikantët për Lotarinë e Vizave të kenë pasaporta të vlefshme nga vendi i tyre i shtetësisë.
Megjithëse ideja e vendosjes së garancive financiare për viza është propozuar edhe më parë, ajo nuk është zbatuar për shkak të vështirësive procedurale dhe perceptimeve negative nga publiku. Megjithatë, Departamenti i Shtetit thotë se kjo qasje e mëparshme nuk mbështetet në shembuj ose prova konkrete nga vitet e fundit.
Lista e vendeve që do të preken nga kjo masë do të publikohet pasi programi të hyjë në fuqi, çka pritet të ndodhë brenda 15 ditëve nga publikimi zyrtar në Federal Register.

