Connect with us

Kosova

SHBA: Shpallja e dy organizatave në veri si terroriste, vendim i pakoordinuar

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it

Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Zëdhënësi i DASH-it deklaroi se SHBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR” dhe se  “Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”.

Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

Advertisement