Connect with us

Bota

SHBA tërhiqet nga bisedimet zyrtare për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë

Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë më si ndërmjetëse në negociatat për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, ka konfirmuar Departamenti i Shtetit, duke sinjalizuar një ndryshim në rolin e Uashingtonit në këtë konflikt.

Zëdhënësja e departamentit, Tammy Bruce, tha se SHBA po ndryshon “metodologjinë e kontributit të saj” në bisedime dhe nuk do të “udhëtojë më nëpër botë në çdo moment” për takime.

“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë, por nuk do të udhëtojmë më nëpër botë si ndërmjetës nëpër takime,” u tha znj. Bruce gazetarëve. “Tani u takon dy palëve — ka ardhur koha që ato të paraqesin dhe të zhvillojnë ide konkrete për t’i dhënë fund këtij konflikti. U takon atyre.”

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, paralajmëroi se lufta në Ukrainë nuk pritet të përfundojë së shpejti, duke theksuar se tani u përket Kievit dhe Moskës të arrijnë një marrëveshje.

Duke folur për Fox News, z. Vance tha se Presidenti Trump kishte arritur t’i ulte të dyja palët në tryezën e bisedimeve, por se SHBA nuk do të udhëheqë më përpjekjet për të ndërmjetësuar paqen.

“Nuk po shkon askund… nuk do të përfundojë së shpejti,” tha ai. “Tani u përket atyre që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i japin fund këtij konflikti të egër.”

Komentet vijnë ndërsa Kremlini ka shprehur gatishmërinë për bisedime të drejtpërdrejta, por ka refuzuar një propozim të fundit për paqe nga SHBA, duke argumentuar se ai nuk përfshinte njohjen ndërkombëtare të territoreve të pushtuara nga forcat ruse.

Ukraina, nga ana e saj, ka refuzuar vazhdimisht të njohë çdo aneksim nga Rusia, duke argumentuar se presidenti Vladimir Putin nuk duhet të shpërblehet për pushtimin e territorit sovran të saj.

Ky njoftim shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e SHBA ndaj luftës, pas paralajmërimeve se do të tërhiqej nga roli ndërmjetësues nëse nuk do të kishte përparim. Departamenti i Shtetit tha të martën se do të tërhiqej nëse nuk do të shihte “propozime konkrete” nga Kievi dhe Moska për t’i dhënë fund luftës. Kjo vjen pasi Rusia ndërmori sulmin më të madh ndaj Kievit që nga korriku i vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur 90 të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas.

Sulmi filloi rreth orës 1 të mëngjesit të enjten e kaluar dhe goditi të paktën katër lagje të Kievit, duke shkaktuar zjarre dhe duke zënë nën rrënoja banorë në ndërtesat e dëmtuara, njoftuan autoritetet

Zyrtarët amerikanë kanë përgatitur një sërë opsionesh për presidentin Donald Trump për të rritur presionin ekonomik mbi Rusinë, ka raportuar Bloomberg duke cituar njerëz me dijeni për çështjen. Njerëzit, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar bisedimet private, paralajmëruan se Trump nuk ka marrë ende asnjë vendim pasi përpjekjet diplomatike janë duke vijuar. Ata refuzuan të detajojnë se cilat opsione janë në tryezë dhe thanë se çdo vendim i takon vetëm presidentit. Ukraina dhe aleatët e saj i kanë kërkuar SHBA-ve të rrisë presionin ndaj Moskës, duke përfshirë edhe rritjen e kufizimeve në eksportet e energjisë dhe të ardhurat nga nafta, për ta detyruar atë të nënshkruajë një armëpushim me kushtet e propozuara nga Trump. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur tashmë një nivel të paparë sanksionesh ndaj Moskës që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë në shkurt 2022, por nuk kanë qenë në gjendje ta detyrojnë Putin-in të ndalojë luftimet. Diskutimet mbi hapat e mëtejshëm mund të errësohen nga largimi i menjëhershëm nga detyra i këshilltarit të sigurisë kombëtare të Trump, Mike Waltz, dhe emërimi i Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, zëvendësues i përkohshëm. Kjo mund të ndihmojë në përmirësimin e strategjisë së SHBA-ve me Rubio-n që mban të dy rolet, pasi qasja e Shtëpisë së Bardhë ndaj Ukrainës është nxitur nga idetë e ndryshme të zyrtarëve të lartë, përfshirë Witkoff, i cili shihet si më simpatik ndaj qëndrimeve të Rusisë.

Advertisement