Connect with us

Bota

SHBA, tjetër paketë ndihme 500 milionë dollarë për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të shpallin një tjetër paketë ndihme ushtarake për Ukrainën me një total prej rreth 500 milionë dollarësh, tha një zyrtar amerikan për CNN.

Ndihma, e cila pritet të shpallet të martën, do të përfshijë automjete të tjera luftarake Bradley dhe Stryker, tha zyrtari, dhe do t’i ofrohet Ukrainës nëpërmjet Autoritetit Presidencial të tërheqjes. Ukraina humbi disa automjete të blinduara në ditët e para të kundërofensivës së saj ushtarake.

Paketa vjen pasi zyrtarët amerikanë vazhdojnë të vlerësojnë se çfarë ndikimi do të ketë rebelimi i Wagner brenda Rusisë në luftën e Rusisë në Ukrainë. Zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë i thanë CNN javën e kaluar se kundërofensiva ukrainase nuk i ka përmbushur pritshmëritë, me linjat ruse të mbrojtjes që rezultuan të fortifikuara mirë. Forcat ruse gjithashtu kanë pasur sukses në bllokimin e armaturës ukrainase me sulme me raketa dhe mina dhe kanë vendosur fuqinë ajrore në mënyrë më efektive.

Paketa e fundit, e shpallur në fillim të këtij muaji, vlerësohej në rreth 325 milionë dollarë dhe përfshinte sisteme të reja të mbrojtjes ajrore dhe raketore për Ukrainën.

SHBA-ja ka ofruar më shumë se 39 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, duke përfshirë 22 miliardë dollarë tërheqje presidenciale.

Advertisement