Connect with us

Kosova

Shefi i NATO-s më 11 mars vizitë në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Kosovën më 11 mars, për herë të parë që kur ka marrë këtë post, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike. Në Prishtinë, ai pritet të arrijë i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, të cilët gjithashtu janë pjesë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

NATO-ja nuk ka bërë një paralajmërim zyrtar për vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Prishtinë, por ai vetë kishte folur rreth kësaj mundësie gjatë një debati në Bratisllavë të Sllovakisë, ku kishte shprehur dëshirën për të vizituar Kosovën gjatë marsit.

Vizita e Ruttes vjen disa javë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë. Ai deklaroi atëherë se pret formimin e një qeverie stabile dhe funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe se NATO-ja do të punojë me këdo që do të udhëheqë me vendin.

Ai theksoi gjithashtu se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi është një çështje e rëndësishme, duke shtuar se nuk sheh arsye për të dyshuar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të theksuar në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në NATO.

Ndryshe, stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka qenë një prej çështjeve kryesore që ka dominuar diskutimet ndërkombëtare për dekada, kryesisht për shkak të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. NATO-ja ka mbi 4 mijë trupa në Kosovë.

Advertisement