Connect with us

Politike

Shehi: Koalicion me Bashën dhe Alibeajn, s’kemi kandidat për kryeministër

Partitë e reja, partitë e vogla, koalicionet e mundshme dhe a do e thyejnë dot mitin e dy forcave të mëdha dhe bipolaritetit politik. Si po ecën procesi i regjistrimit të Diasporës, problematika e procesit, dyshimet për manipulimin e votës me proces kolektiv, por edhe përçarja e opozitës.

Këto tema u analizuan sot në mbrëmje (3 Shkurt). Debatet mes të ftuarve Dashamir Shehi, Inida Gjata, Poli Hoxha, Pano Soko dhe Almer Toska nuk munguan, ku theksuan vështirësitë e procesit dhe përballjes me dy forcat e mëdha që bëjnë marrëveshje të fshehta dhe aleanca kur përballen me frymën e re.

Por ideja e përbashkët e panelit ishte se vetëm bashkimi i faktorit politik të forcave të reja dhe të vogla për maksimalizim vote, mund t’i mposhtë dy partitë e mëdha dhe polin Berisha-Rama.

“I mbani mend skenat e Janarit, se këto unë i quaj çikërrima (i referohet problematikave zgjedhore mes kampeve politike të mëdha). Unë uroj që partitë e reja të kenë sukses. Nuk them të përmbysin realitetin shqiptar se është e vështirë. Në Shqipëri kanë dalë shpesh parti të reja, thyhen, dorëzohen, tërhiqen mbrapsht. Uroj që ky sukses t’i inspirojë e të mos shpërndahen. Por ky është ligj i keq, nuk lë hapësirë, e kanë bërë në mënyrë të atillë që e bëjnë të vështirë. Por e shoh që nuk kanë dëshirë të bashkohen me ne. Ne kemi dëshirë, po afrohemi, po gjejmë një mundësi me 2-3 prej tyre, besojmë se këto ditë do e realizojmë. Duhet maksimalizuar vota dhe të ketë sinergji politike, të vënë qëllimin mbi egoizmin”, tha Shehi.

Kreu i LZHK konfirmoi edhe bisedimet e partisë së tij për aleanca, duke përmendur emra dhe pritshmëri.

“Jemi në bisedime me Alibeajn dhe Bashën, kanë mbetur vetëm teknikalitetet, por kemi rënë dakord edhe për deputetët, lista do jetë e hapur. Nuk kemi kandidat për kryeministër, sepse për momentin nuk kemi personazh përbashkues. Tjetra, ky grup nuk prodhon kryeministër, ne jemi te 15%, që të mos krijojmë situata joserioze. I vetmi dyshim që kemi është mos na i vjedhin ata që kanë komisionerë. Ky grup mendoj se merr mandate, edhe partitë e reja”, tha deputeti.

Kurse Inida Gjata, kryetare e Aleancës Kombëtare Shqiptare apeloi për largimin e klasës së vjetër politike, duke kujtuar edhe formatin e listave. Gjithashtu tha se nuk do kandidonte vetë në listë për zgjedhjet e 11 Majit.

“Listat e mbyllura janë për të futur aty hallat, tezet, dajat, gjyshet. Mekanizma të rrezikshëm dhe dyshues, pse duhet të jetë kështu, listat e mbyllura do mësohen kur të nisë fushata. Iku koha e të vjetërve. Unë nuk do kandidoj fare, nuk do jem në listë. Këta janë një klasë politike që duhen zhdukur nga sistemi fare”, u shpreh ajo ndër të tjera.

Gazetari Almer Toska u shpreh pesimist për partitë e reja të krijuara, për shkak të ndarjes që kanë, teksa shtoi se edhe deputetin Dashamir Shehi do e vjedhin për t’ia dhënë mandatin Bashës.

“Duket se grupin e Dash Shehut do e vjedhin. Mandatin e deputetit do ia marrë Lulzim Basha. Sali Berisha ia ka borxh Bashës mandatin e deputetit. Duke e njohur se sa politikan finok është ai (Basha), do ia marrë të gjitha votat e Shehit (ndërhyn Shehi: “Rri i qetë se e kam të sigurt votat e mia për mandatin”). Koalicioni i Thurjes mendoj se me realitetin që shoh, nuk nxjerr mandat. Forcat e vogla me parcelizimin dhe ndarjen që kanë nuk nxjerrin mandat”, u shpreh ai.

Kurse Pano Soko, nga nisma “Thurje” pohoi se janë në diskutime për aleanca dhe emrat në listë për kandidatët, që ndodhen në fazën e fundit. Ai u shpreh optimist se koalicioni do fitonte mandate deputetësh.

“Me “Shqipëria bëhet” jemi në diskutime. Jemi me listë të hapur, jemi në fazën përfundimtare. Ne e kemi çuar të parët si iniciativë në Parlament, e kemi kërkuar dhe ja këta dolën dhe e mbyllën, sepse u intereson. Listat e mbyllura na u kushtëzuan nga parlamenti, e bënë kastile”, u shpreh Soko.

Ndërsa gazetari Poli Hoxha tha se pavarësisht pesimizmit për forcat e reja, që mbyten nga të mëdhatë, ai ishte optimist për faktin se ato për herë të parë kanë krijuar një frymë në popullatë. Teksa shprehu keqardhjen që këto forca nuk po maksimalizojnë votën, shtoi se kanë shanse për të fituar mandate deputeti, sikurse edhe për grupimin Shehi-Basha-Alibeaj që po krijohet.

“Për herë të parë të gjithë forcat e reja, pavarësisht sherreve, ka një frymë në popull, jo te liderët. I quaj alternativë, për të gjithë bashkë jam optimist derisa të provohen. Edhe sikur të mos marrin deputetë për herë të parë është krijuar një frymë. Me sondazhet e Edi Ramës që di dhe unë, këta janë të paktën 20%, kundër Ramës dhe Berishës bashkë. Te kutia e votimit mendoj se do kalcifikohet. Vota e shqiptarit nuk është as like as views as mbushje salle, për herë të parë shqiptarët janë të ndërgjegjshëm, që ata të dy të mos mblidhen më bashkë e të bëjnë si me amnistinë apo në qershor me Kodin”, tha ai.

Dhe në fund kujtoi se nëse dy partitë e mëdha nuk arrijnë mbi 70 mandate, do e kenë të vështirë.

“Nëse arrihet që një prej tyre ta çosh te 70 mandate, këta kanë shumë në dorë se si të sillen, që t’i strukin ata dy të mëdhenjtë. Se si do kapitalizohet kjo kërkon edhe pjekuri. Këta kanë një ideologji, largimi i mamuthëve të tranzicionit. Më erdhi radha thotë Sali Berisha, është radha ime”, u shpreh Hoxha.

Advertisement