Shkrime
Shërbimi publik gjerman tregon pse po nxiton Vuçiç për zgjedhjet në Serbi
“Presidenti Aleksandër Vuçiç nxitoi të shpallte datën e zgjedhjeve të reja në Serbi, nën ndikimin e skandaleve, rënies së popullaritetit të parties së tij dhe çështjes së Kosovës. Por pavarësisht “fushatës nxitëse” kundër opozitës, fitorja e tij nuk është e garantuar” – Kështu shkruan shërbimi publik gjerman MDR.
Në tekstin e korrespondentit të Beogradit, Andrej Ivanji, thuhet se qeveria serbe e Brnabiç nuk përmbahet nga “brutaliteti” për të ruajtur pushtetin.
“Fushata e nxitjes kundër disidentëve po zhvillohet me stil në mediat besnike të pushtetit. Serbia është e mbuluar me postera në të cilët politikanët e opozitës paraqiten si tradhtarë, mercenarë të huaj, fashistë dhe kriminelë” – thuhet në tekst.
“Aleksandër Vuçiç, i cili nuk është zyrtarisht në listën zgjedhore, zgjedhjet i paraqet si betejë mes së mirës dhe së keqes dhe se vetëm ai është shpëtimtari që e çon Serbinë në një të ardhme të lavdishme me rroga të majme dhe hekurudha më të shpejta. E keqja është opozita, e cila do ta shkatërronte vendin për interesa egoiste” – shkruan Ivanji.
Autori I shkrimit vlerëson se gjatë njëmbëdhjetë viteve të Vucic në pushtet, presidenti serb u tregua “një nga populistët më të talentuar në Evropë” që arriti të “nënshtronte parlamentin, qeverinë dhe një pjesë të madhe të policisë dhe prokurorisë”.
Për një kohë të gjatë dukej se partia e tij ishte e pathyeshme, por dicka ka ndryshuar” – shkruan MDR.
Ivanji thekson se në shtypin perëndimor po shtohen shkrimet për lidhjet e regjimit të Vucic me krimin e organizuar. Se SHBA ka vendosur sanksione ndaj ish-kreut të BIA-s, Aleksandër Vulin, si dhe ndaj “biznesmenit” Milan Radoiçiç, i cili udhëhoqi një grup të armatosur në Banjskë.
“Tani asgjë nuk është më e sigurt në Serbi. Sipas sondazheve, opozita e bashkuar ka një shans të mirë për të fituar kryeqytetin, teksa gara është e hapur në Vojvodinë dhe partia e Vucic mund të dobësohet ndjeshëm në parlamentin ” – thotë MDR.
Po ashtu, në artikull thuhet se po rritet presioni nga SHBA dhe BE për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Serbia pritet ta “njohë de fakto” pavarësinë, siç tha shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë një vizite të fundit në rajon.
“Kjo do të ishte vdekje politike për populistin kombëtar Vuçiç, i cili zyrtarisht e udhëheq vendin në drejtim të BE-së. Por ai po kërkon të bëjë përsëri atë që bën më së miri, të hyjë në luftën zgjedhore, të fitojë kohë dhe të fshihet pas vullnetit të popullit. Ndoshta ai do të ketë sukses edhe një herë.” – thuhet në artikull ku dhe theksohet se partia e Vucic ka kaluar kohë më parë zenitin dhe zyrtarët e saj janë të përfshirë në afera të shumta, teksa popullariteti po bie”