Connect with us

Aktualitet

Sherr për një karrige/ Zyrtari godet me shuplaka drejtuesen e Task Forcës: Pse zihesh me gruan time?

Një sherr mes dy zyrtarëve është regjistruar mesditën e një dite më parë në Bulqizë. Juljan Damzi, drejtor i Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë 40 vjeç ka qëlluar me shuplakë Shimë Dodën, drejtuesen e Task Forcës në Ujësjellës Kanalizimeve Dibër (UKD), e cila është 26 vjeçe.

Doda ka deklaruar se i gjithë sherri ka nisur me gruan e Damzit, Erla Damzi, e cila ishte paraqitur në zyrë në momentin që 26-vjeçarja po i sistemonte dhe ka kërkuar që të marrë tavolinat pasi kishte ‘urdhër nga lart’. Më pas, sipas Dodës, Erla Damzi kishte nisur të bërtiste për një karroge të dëmtuar dhe të kërkonte 15 mijë lekë të reja për të.

“Nxorri tavolinat në korridor dhe më pas u fut tek zyra tjetër duke marrë një karrige. Karrigia ishte dëmtuar dhe filloi duke bërtitur që si e keni marrë këtë karrige ashtu do e dorëzoni. Unë i thashë që karrigia është një mjet për t’u përdorur për punët e zyrës së shtetit dhe i thashë se ajo karrige ekziston, është, por thjesht është prishur. Nga ky moment, ajo vazhdoi duke bërtitur dhe duke thënë që do t’i them drejtorit që keni prishur karriget dhe do të mbani ju përgjegjësi për këtë që keni bërë ose do paguani 15.000 lek të reja për karrigen e dëmtuar,”- thuhet në dëshminë e saj.

Pas këtij sherri, Doda thotë se në zyrë ka mbërritur Julian Damzi që e ka goditur me shuplakë dhe e ka ndjekur për ta sulmuar. 26-vjeçarja shprehet gjithashtu se kur kolegia e saj ka tentuar të telefonojë administratorin, Damzi i ka hedhur telefonin dhe më pas është rikthyer duke e goditur me shuplakë në krah dhe pas koke.

“Në këtë moment vjen përsëri Erla Dazmi bashkë me bashkëshortin e saj Julian Damzi, i cili më drejtohet me zë të lartë duke më thënë se çfarë ke ti që zihesh me nusen time dhe direkt më ka shtyrë dhe më ka goditur me shuplakë. Më pas kanë ndërhyrë punonjësit që ishin prezent të cilët janë Norald Zuna, Luljeta Mullameti, Elda Curri për të ndaluar por ai përsëri nuk ndalonte dhe vazhdonte duke më ndjekur për të më goditur,”- përfundon Doda.

Advertisement