Connect with us

Lifestyle

Shija e Vërtetë e Mesnikut Të Traditës – Receta e Saktë

Mesniku është një traditë e vjetër e shumë zonave të Shqipërisë.

Ky byrek përgatitet duke kombinuar petët e pjekura me lëngun dhe mishin e pulës së detit.

Emri i këtij byreku vjen pikërisht nga emërtimi i pulës së detit.

Në zonën e Kolonjës ato quhen ndryshe Miska, dhe duke qenë se janë përbërësi thelbësor i kësaj recete, kështu mori emrin gatimi.

AgroWeb.org ju sjell recetën klasike të përgatitjes së mesnikut tradicional në disa hapa shumë të shkurtër.

Përbërësit

1kg miell për të përgatitur petët e pjekura ose 2 pako me peta të pjekura të gatshme

1 pulë deti rreth 1.5 kg

4-5 vezë

100gr gjalpë i shkrirë

Kripë

Piper i zi

100 ml vaj ulliri për spërkatjen e petëve

Përgatitja:

AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të lani pulën e detit me ujë të bollshëm.

Më pas vendoseni në një tenxhere dhe mbusheni me ujë.

Hidhni pak kripë dhe piper dhe vendoseni për ta zierë.

Kur të shihni që formohet një shkumë në sipërfaqen e ujit mundohuni ta hiqni me një lugë.

Lëreni mishin të ziejë mirë. Për ta kuptuar nëse mishi është gati, mjafton të prodoni nëse mund të shkëputet nga kocka.

Pasi të ketë zierë mirë mishi i pulës së detit hiqeni nga tenxherja dhe lerëni të ftohet pak.

AgroWeb.org ju sugjeron që ta pastroni nga lëkura dhe kockat, dhe mishin ta coptoni.

Në një tas rrihni vezët dhe shtoni ngadalë lëngun dhe mishin e pulës.

Kini kujdes që të mos jenë shumë të nxehta pasi kështu do të priten vezët.

Shtoni në fund dhe gjalpin e tretur dhe jepini shije me kripë dhe piper.

Në një tavë hidhni pak vaj ulliri dhe lyeni mirë sipërfaqen e saj.

Vendosni 2-3 petë të pjekura duke i lyer një e nga një me vaj.

Hidhni pak nga mbushja që përgatitët dhe përsëritini këto hapa derisa të mbaroni petët.

Spërkateni sipërfaqen e byrekut me pak vaj dhe piqeni në furrë me 180-190 gradë.

Kur lëngu të jetë përtharë plotësisht dhe byreku të ketë marrë një ngjyrë të artë mund ta hiqni nga furra.

Shërbeheni të ngrohtë duke e shoqëruar me sallata të freskëta ose me perime të ziera dhe kos./AgroWeb.org

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *