Aktualitet
Shira të dendur e dëborë/ ARRSH: Bëni kujdes në rrugë
Fundjava që po vjen pritet të sjellë reshje shiu dhe dëbore. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e shtunë reshjet e shiut do të jenë të herëpasherëshme me intensitet të ulët deri në mesditë në pjesën më të madhe të vendit dhe prej orëve të mesditës reshje shiu me intensitet deri mesatar në formë shtrëngatash.
Reshjet do të vijojnë të jenë të herëpasherëshme në formën e shtrëngatave afatshkurta lokale deri në orët e vona të mbrëmjes së ditës së diel, kryesisht të përqëndruara në pjesën lindore të vendit. Në Alpe dhe relievet malore në veri-verilindje-juglindje të vendit parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në lartësinë mbi 600-800metër. Era do të fryjë nga kuadrat i veriut me shpejtësi mesatare 3-12m/s, ndërsa në lugina, në relievet e larta malore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës arrin shpejtësi 13-22m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 3-4ballë. Prezencë e mjegullës së dendur lokale/mjegullinës në orët e mëngjesit/mbrëmjes dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.
Ky mot i keq do të sjellë dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes. Në segmentin Ura e Zapodit-Shishtavec, në Bogë-Theth dhe në Tamarë-Vermosh ka pasur reshje dëbore të konsiderueshme.
Njoftimi:
Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se reshjet e shiut me intensitet mesatar kanë përshkuar vendin duke sjellë rënie gurësh e inertesh në rrugë të cilat janë pastruar menjëherë pa sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve. Ndërkohë në zonat malorë janë hasur vështirësi për shkak të borës. Në segmentin Ura e Zapodit-Shishtavec, në Bogë-Theth dhe në Tamarë-Vermosh ka pasur reshje dëbore të konsiderueshme. Grupet e punës me mjetet borëpastruese janë në terren dhe kanë bërë pastrimin e rrugës. ARRSH bën thirrje drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë.