Kronike
Shkaktoi aksidentin me 4 të plagosur dhe u arratis, arrestohet pas dy ditësh 45-vjeçari që kishte ardhur për pushime nga Italia

Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë shtetasin 45-vjeçar M.A., i cili dyshohet se ka qenë shkaku i aksidentit me 4 plagosur të regjistruar dy ditë më parë në Fier.
Aksidenti i rëndë ndodhi në vendin e quajtur “Qafa a Koshovicës”, ku mbetën të dëmtuar katër persona të cilët u shpëtuan nga efektivi i policisë Klajdi Mustaj. Polici Mustaj u kthye në një hero pasi u fut mes flakëve të makinës dhe shpëtoi jetën e të dëmtuarve.
Fillimisht u raportua se shoferi i automjetit tip “Benz” humbi kontrollit, u përplas me një pishë në anë të rrugës duke shpërthyer në flakë.
Por pas hetimit dhe zbardhjes së rrethanave të aksidentit, u zbulua se ka qenë 45-vjeçari që ka prerë rrugën makinës “Benz” duke e detyruar shoferin të kryejë manovra.
“Në përfundim të veprimeve procedurale specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. A., 45 vjeç, banues në Itali, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit””, njoftojnë blutë e Fierit.

