Politike
Shkarkimi i Veliajt/ Dashamir Shehi: Rama e heq ‘topin’ nga vetja dhe ja kalon Këshillit Bashkiak

Kreu i LZHK-së, ish-deputeti Dashamir Shehi, është shprehur se kryeministri Edi Rama, përmes mbledhjes së Këshillit Bashkiak për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, po e heq ‘topin’ nga vetja dhe po ja kalon Këshillit.
Shehi tha se nëse donte të shkarkonte Veliajn, Rama mund ta bënte këtë gjë vetë, përmes mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Ai pohoi gjithashtu se nëse do të ishte i moralshëm, Veliaj duhet ta kishte dhënë vetë dorëheqjen, derisa të përfundonte procesi gjyqësor i nisur ndaj tij. Shehi tha se brenda Partisë Socialiste ka pasur përplasje të fortë klanesh, ku klani i kryeministrit Edi Rama po përpiqet të eleminojë plotësisht atë të Veliajt.
“Unë them që kjo puna e Erion Veliajt duhet të kishte marrë një formë tjetër me kohë. Përsa i përket çështjeve proceduriale, mund të ketë pasur edhe gjëra të paligjshme. Mirëpo kjo është një temë politike, nuk është çështje procedurash. Edhe Veliaj vetë e ka zgjedhur gabim rrugën për t’u mbrojtur, sepse do të mbrohet përmes procedurave. Kjo është temë politike, i del për zot të përplaset me klanin tjetër që e ka rrëzuar, ta mbrojë veten nëse është i pastër, t’i denoncojë vetë këta të tjerët për çfarë kanë bërë. Se ai e di se ka qenë aty brenda. Ose është vetë pjesë e kësaj loje dhe unë besoj se ashtu është.
Veliaj duhet ta kishte dhënë me kohë dorëheqjen. Unë do e kisha dhënë për vete. Nëse ti hyn në një procedurë gjyqësore, vetëm në Shqipëri ndodh që politikanët nuk largohen, vijojnë atë pozicionin e vetë, vijojnë ta përdorin për t’u vetëmbrojtur. Kur në fakt ti në fakt duhet të japësh dorëheqjen nga këto funksione politike. Kur të mbaroj gjyqi pastaj rimerre edhe moralin edhe funskionin. Nuk e lëshojnë pushtetin, sepse me pushtet janë pasuruar.
Pastaj Rama me këto procedurat që ka bërë, i heq nga vetja e vetë dhe ja kalon Këshillit Bashkiak. Rama për të thënë se kjo është një çështje kolegjiale, ia kaloi Këshillit. Ndërkohë nuk kishte si të votonte ndryshe Këshilli, ishte marri. Këta kanë zgjedhur Omertan, kodin e mafies. Pra nuk flasin, për të mbrojtur familjet dhe njerëzit e vetë”, tha mes të tjerash Shehi.

