Kronike
Shkelen rregullat e burgjeve/ Xhovana Nikolli i dërgon karta telefoni të penduarit të SPAK
Teksa Amarildo Nikolli është kthyer në të penduarin e SPAK, duket se privilegjet që ai gëzon, janë ndryshe nga të burgosurit e tjerë.
E dashura e tij Xhovana Nikolli, ka postuar një video në TikTok, ku tregon se sot ka takimin me Amarildon, ku i ka dërguar edhe disa ushqime dhe cigare. Por në një moment, Xhovana deklaron se ka marrë edhe kartat e telefonit, ku lë të nënkuptohet se po ja dërgon partnerit të saj.
Nga pamjet duket se janë 8 karta telefoni, duke ngritur dyshime se Nikolli, ashtu si i penduari tjetër i SPAK Nuredin Dumani, ka disa pajisje teknologjike në qeli, gjë që në rregulloren e burgjeve, është e ndaluar.
Më pari ishte pikërisht Nuredin Dumani që u denoncua nga kunata e Amarildos, Alda Nikolli, se Dumani ka pajisje teknologjike në qeli, dhe nga aty porosit krime dhe vendos gjoba. Kjo deklaratë e Nikkolit, vuri në diskutim sigurinë e burgjeve.
Gjithashtu ajo pretendoi se Dumani, për të cilin ka deklaruar në media se kishte pasur një lidhje romantike, kishte dhunuar dy herë kunatin e saj, brenda paraburgimit.
Por kush është Amarildo Nikolli?
Amarildo Nikolli alias Xhanej, i njohur me nofkën “Shkodrani” ndodhet që prej 7 gushtit të vitit të kaluar në burg, datë kur u kap me armën pistoletë me silenciator me vete në shëtitoren e Lungomares në Vlorë.
Ai është vrasës me pagesë, teksa tashmë është kthyer në një të penduar të drejtësisë, edhe pse nuk e ka marrë ende këtë status nga drejtësia. Amarildo Nikolli alias Xhanej ka rrëfyer në SPAK për një sërë krimesh, duke përfshirë dhe arsyet pse ishte atë ditë në Vlorë apo edhe për sulmin me armë ndaj Top Channel, ku u vra roja Pal Kola.
Nikolli ka treguar se ishte kontraktuar nga dy djem xhaxhallarësh me inicialet L.Z dhe E.Z si dhe nga shtetasi i arrestuar me tre emra, Muharrem Koroveshi, alias Ismailaj dhe Myftaraj. Të tre personat i përkasin një grupi kriminal, i cili kishte premtuar një shumë financiare që besohet se është diku tek 300 mijë euro me qëllimin e vetëm vrasjen e Inez Hajrulla.
Grupi kishte siguruar armët, mjetet e largimit dhe njëherësh garantuar strehimin e vrasësve me pagesë. Në momentin e arrestimit nga policia e Vlorës, dy kushërinjtë ishin në ambjentet e një pasticcerie në zonën e “Lungomares” në Vlorë.
L.Z dhe E.Z, shoqëronin shkodranin Nikolli, duke e afruar pranë zonës së quajtur “Oslo”, teritor ky që kontrollohet nga grupi i drejtuar nga Inez Hajrulla. Në momentin kur ka ndërhyrë policia dhe ka arrestuar Amarildo Nikollin, dy kushërinjtë kanë mundur të largohen me vrap duke mos u arrestuar nga policia.