Pas masakrës tronditëse të ndodhur ditën e djeshme në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë, ka folur Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda me një mesazh drejtuar efektivëve.

Ngjarja e djeshme erdhi 4 ditë pasi u ekzekutua po në Shkodër, në qendër të qytetit, Kristian Kola, 34-vjeç. Bilanci i dhunës kriminale në kryeqendrën e veriut është i frikshëm, tre të vrarë dhe dy të plagosur brenda një jave.

Ndërsa sot, Drejtori i Policisë premtoi sërish se lufta ndaj krimit do të përshkallëzohet dhe do të garantohet siguria për qytetarët. Megjithatë, përtej deklaratave zyrtare, realiteti në terren tregon një panoramë shqetësuese dhe janë elementët kriminalë ata që duket se kanë marrë kontrollin e situatës duke i bërë qytetarët gjithnjë e më të pasigurt.

Në një situatë ku krimi godet pa frikë në mes të qytetit tregon qartë se Policia e Shtetit po sfidohet lehtësisht nga elementët e krimit të organizuar.

Por pavarësisht asaj që po ndodh në terren, Proda nga ana tjetër shprehet se vlerëson reagimin e efektivëve (në rastin e masakrës së Shkodrës) të cilët arritën, shton ai, “të neutralizojnë dhe të vënë në pranga autorin e dyshuar të krimit të djeshëm, brenda një kohe rekord”.

“Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij,” theksoi Proda.

Drejtori i Policisë gjithashtu u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, duke theksuar se strukturat e Policisë kanë angazhuar të gjitha kapacitetet hetimore dhe operacionale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ai vuri në dukje edhe një tjetër operacion të rëndësishëm të kryer në lagjen “Guerrile” të Shkodrës, ku u shkatërrua një bazë kriminale me arsenal armësh dhe u identifikuan dy persona të dyshuar si përkrahës të autorit të krimit.

“Kjo është një dëshmi tjetër e vendosmërisë sonë për të goditur çdo element kriminal dhe për të garantuar që asnjë akt dhune nuk do të mbetet pa përgjigje,” u shpreh Proda.

Në përfundim të deklaratës, drejtori i Policisë u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat ligjzbatuese:

“Beteja jonë për sigurinë është e përditshme dhe e palëkundur. I ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike”.