Kosova
Shkodra: Serbia dëshiron ta tensionojë situatën për të marrë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare
Njohësi i sigurisë, Selam Shkodra, thotë se skenat si ato që i ka bërë sot Serbia kur ndaloi kosovarët në pikat kufitare janë të njohura për Kosovën.
Shkodra, thotë se Serbia dëshiron që ta tensionojë situatën në mënyrë ta marrë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare.
“Këto skena janë të njohura për ne. Serbia si rezultat i disfatës që ka pasur dje në Asamblenë Parlamentare kështu ka vazhduar për të tensionuar situatën dhe për të justifikuar para qytetarëve të vetë disfatën që ka pasur në KiE. Është shkelje e marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve. Serbia po dëshiron që ta tensionojë situatën që ta kthej edhe një herë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Qindra kosovarë janë mbajtur të bllokuar për mbi 16 orë nga autoritetet serbe në pikat kufitare me Serbinë.
Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova edhe në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Gjatë ditës, MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të vet që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi.