Aktualitet
Shkodra zgjohet nën ujë! Izolohet nga pjesa tjetër e vendit
Stuhi, reshje të dendura shiu dhe erë e fortë! Kështu ka kaluar nata për thuajse të gjithë Shqipërinë. Shkodra, qarku më i prekur është zgjuar nën ujë. Qindra hektarë toke bujqësore janë përmbytur, ndërsa dhjetëra shtëpi janë të rrethuara nga uji. Evakuimet nisen që të dielën pasdite kur nisen edhe orët kritike të situatës e cila risolli për ata banorë situatën e para 11 viteve. • Nga dy të zhdukurit, babë e bir që i mori rrjedha e ujit nuk ka ende asnjë gjurmë. • Por nuk mjafton me kaq. Ura e vjetër e Bahçallëkut që u shemb dje ka lënë pas inerte që kanë dëmtuar urën e re. Ndërprerja e lëvizjes mbi Urën e Bahçallëkut bën që Shkodra të izolohet nga pjesa tjetër e vendit. • Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vizitoi pak para mesnatës Hidrocentralin e Vaut të Dejës nga ku u shpreh se ka pasur një menaxhim të mirë nga qeveria, në të kundërt, përmbytjet do të ishin akoma më të mëdha. Balluku shtoi se Opozita i dezinformon qytetarët, pavarësisht se nuk e ‘prek’ terrenin. • Situata problematike është dhe në Lezhë ku ka pasur përmbytje dhe evakuime gjithashtu. • Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje Bashkive që të marrin masa. Në Theth ka rënë bora e parë. Në Kurbin e Mirditë reshjet janë me intensitet të lartë. Në Durrës, ka prani uji në disa akse të qytetit, e në Tiranë gjithashtu. Janë pezulluar lundrimet në Shëngjin, Durrës dhe Vlorë. Aktualisht, Vlora, Përmeti, Laçi dhe Bajram Curri kanë probleme me energjinë elektrike.
Balluku shkon në Hidrocentralin e Vaut të Dejës: Kemi pasur menaxhim, ndryshe përmbytjet do ishin masive
VAU I DEJËS– Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku ka vizituar pak para mesnatës së kaluar Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Nga atje, Balluku u shpreh se janë bërë shkarkime të organizuara pasi ka patur reshje përtej pritshmërive. Në të kundërt, sipas Ballukut, përmbytjet do të kishin qenë edhe më të mëdha. Ajo iu drejtua Opozitës dhe kërkoi që të mos dezinformonin qytetarët, kur nuk e prekin vetë terrenin.
“Kemi pasur reshje me intensitet të lartë që kanë qenë mbi parashikimet tona dhe na është dashur të bëjmë shkarkime të organizuara. Në të kundërt do të kishim përmbytje masive. Kemi pasur një zonë të ngarkuar atmosferike. Fronti po spostohet në jug. Pas një viti shumë torturues fushës energjetike, do të mund të kemi prurje të konsiderueshme në hidrocentralin e Fierzës. Ne e ndjejmë detyrim të informojmë se qytetarët dizinformohen nga njerëz që nuk e prekin terrenin dhe kur ka emergjenca e shfrytëzojnë për qëllime politike,”- tha Balluku.
KESH: Jemi në një situatë ekstreme të prurjeve ujore, 30% po shkarkohet
TIRANË– Pas reshjeve të shumta, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare(KESH) ka dhënë informacion mbi sitiatën hidrike në vend. Referuar situatës hidro-meteorologjike të 24-orëve të fundit në pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës dhe lumenjve Kir, Gjadër, Gomsiqe, Drin, informojmë se jemi në një situatë ekstreme të prurjeve ujore për shkak të shirave me intensitet shumë të lartë, të rënë në të gjithë këtë hapësirë gjeografike.
Ndërsa referuar pellgut ujëmbledhës të lumit Drin dhe basenet e liqeneve të Komanit dhe Vaut të Dejës të cilët administrohen nga KESH sh.a., mbi të cilët shkarkohen të gjithë përrenjtë dhe lumenjtë malorë të alpeve dhe të hapsirave të tjera malore. Në këto liqene shkarkohen mbi 13 lumenj dhe përrenj malorë si Valbona, Shala, Mërturi, Bugjoni, Salca, Berisha, Gomina, Gomsiqja, etj.
Të gjithë këta përrenj së bashku, kanë sjellë një sasi të konsiderueshme uji që arrin deri në 4,000 m3/s, prej orës 22:00 të datës 19 nëntor dhe në vazhdim. Këto prurje janë gjeneruar nga reshjet me intesitet shumë të lartë (ekstrem) të matura nga sistemi i monitorimit hidrometeorologjik i KESH sh.a., të cilat, deri në orën 11:00 të ditës së sotme datë 20.11.2022, rezultojnë si më poshtë:
• Theth 390
• Dragobi 203
• Puke 134
• Fierze 105
• Koman 176
• V.Dejes 168 mm
Ndërsa e gjithë plota ujore (sasi ujore) arrin në mbi 4,000 m3/sek., nga shkarkuesit fundor të kaskadës, nuk ka kaluar në asnjë rast vlera e 1300 m3/sek. Pra nga e gjithë kjo sasi uji e ardhur në liqenet e kaskadës, 30% e kësaj sasie është shkarkuar, ndërsa pjesa tjetër është akumuluar si rezervë energjitike, si rezultat i masave paraprake menaxhuese dhe operative që KESH sh.a. ka ndërmarrë.
I gjithë ky aktivitet i KESH sh.a., ka ndihmuar në eleminimin dhe minimizimin e përmbytjeve të mundëshme të zonës së nën Shkodrës.
KESh thekson se për menaxhimin optimal të kësaj situate, prej disa ditësh i ka ndalur operimet me HEC Fierzë, duke eleminuar plotësisht prurjet hidrike nga zona e mbi Fierzës. Ky veprim ndihmon edhe në rritjen e rezevës hidrike/energjitike, në kaskadën e Drinit. Po prodhohet me kapacitet të plotë në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.
Konkretisht prurjet ditën e sotme, datë 20 Nentor, në oreën 14:00 janë:
HEC Fierzë 600 m3/s
HEC Koman 1600 m3/s
HEC Vau i Dejës 2400 m3/s.
Nivelet në liqenet e Kaskadës së lumit Drin në orën 14:00 janë ;
HEC Fierzë 269.06 mmnd
HEC Koman 174.72 mmnd
HEC Vau i Dejës 75.78 mmnd
Marrë nga Monitor.al
VIDEO/ Natë e vështirë për Shkodrën, Spahia: S’kemi komunikim normal me pjesën tjetër të vendit
SHKODËR– Natë e vështirë për Shkodrën. Kryeqendra e Veriut është zgjuar nën ujë. Qindra hektarë toke bujqësore janë përmbytur, ndërsa dhjetëra shtëpi janë të rrethuara nga uji. Qarkullimi në disa zona është bllokuar, përfshirë dhe kalimin në urën e re të Bahçallëkut, pasi e vjetra u shemb e pjesët e saj rrezikojnë të përplasen me të. Ndërprerja e lëvizjes mbi Urën e Bahçallëkut bën që Shkodra të izolohet nga pjesa tjetër e vendit. Kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia tha se mbyllja e urës për automjetet është bërë për shkak të rrezikshmërisë që paraqet. Gjithashtu ai u bëri thirrje banorëve në zonat e rrezikura nga përmbytjet të evakuohen menjëherë.
“Shkodra është pa komunikim normal me pjesën tjetër të vendit. Jemi detyruar të mbyllim qarkullimin në urën e Bahçallekut pas shëmbjes së urës së vjetër. Kjo gjendje paraqet rrezikshmëri shumë të lartë dhe kërkon vlerësim maksimal nga autoritetet përgjegjëse. Bllokimi i qarkullimit si masë parandaluese ishte i detyruar, por nuk mund të zgjasë në këtë emergjencë që ndodhemi. Ju kërkova banorëve të kësaj lagjeje si dhe Ajasmës që të mos rrezikojnë jetën e tyre, por në momentin më të parë që paraqitet nevoja, të evakuohen. Strukturat tona do të jenë në terren për ta ndjekur hap pas hapi situatën, që për fat të keq po përkeqësohet,”- tha Spahia.