Connect with us

Aktualitet

“Shoqata Atdhetare-Kulturore Gramshi”, feston ditëlindjen e 20-të/ Promovohen tre libra të autorit Meçan Hoxha

Një mbrëmje e veçantë ishte ajo e së premtes së 7 korrikut në qytetin e Durrësit.

20-vjetori i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gramshi” mblodhi në një eveniment letrar në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” shumë anëtarë të këtij komuniteti që prej vitesh jetojnë në Durrës.

Dega lokale e cila ka hedhur rrënjë dy vitet e fundit, ka në përbërjen e saj 200 anëtarë, ndërkohë që komuniteti gramshiot i vendosur në qytetin bregdetar arrin në rreth 12 mijë banorë.

“Me aktivitetet e vazhdueshme që kemi bërë, kemi si qëllim të promovojmë dhe të zhvillojmë më tej kulturën dhe traditat e Gramshit, të lidhim miqësi dhe bashkëpunimin midis njëri-tjetrit”,- tha kreu i shoqatës “Gramshi” për degën e Durrësit, Xhevdet Hoxholli.

Me mbështetjen e pakursyer të Kastriot Xhangolit, Reshit Shahinit dhe Kastriot Dërmyshit, mbrëmja letrare iu dedikua shkrimtarit Meçan Hoxha dhe promovimit të tre librave të tij: “Gramshi në jetën time”; “Riza Kishta, emër që nuk harrohet” dhe “Kontribute letrare 3”

Nën moderimin e gazetarit Andi Bora, aktiviteti kulturor përfshiu një sërë kumtesash nga shkrimtarë dhe autorë të shquar si: Idris Dyrmishi, Shpendi Topallaj, Fatmir Minguli dhe Luan Mema. Teksa nga Gramshi erdhi për një performancë të dedikuar, Grupi Folklorik i i këtij qyteti, me dy këngë të interpretuara nga Xhevair Bora dhe Met Doku, e më tej me interpretuesin dhe poetin Abedin Murati si dhe Grupi i Fyejve.

Gjatë mbrëmjes letraro-artistike u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër mbi jetën dhe krijimtarinë e Hoxhës, i cili mban edhe postin e kreut të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës.

Të pranishëm në aktivitetin letrar ishin edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako dhe homologu i saj nga Gramshi Besjon Ajazi.

Advertisement