Connect with us

Shkrime

Shormaz: Vuçiq e adhuron Rusinë, ndërsa i urren vlerat euro-atlantike

Tekst autorial i Dragan Shormaz për The Geopost

Gjatë muajve të fundit, Bashkimi Evropian është bërë më i pranishëm dhe më aktiv në hapësirën e Ballkanit Perëndimor sesa që ka qenë që nga koha e pandemisë së korona virusit. Pas zgjedhjeve për institucionet e reja evropiane dhe nisjes së punës së tyre, është krijuar një besim se BE-ja me të vërtetë dëshiron ta përmbyllë procesin e zgjerimit në drejtim të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë. Madje, ka ende zëra në Evropën e vjetër që nuk heqin dorë nga Turqia, Gjeorgjia, Armenia dhe Azerbajxhani.

Njëkohësisht, në Mbretërinë e Bashkuar po bëhen gjithnjë e më të zëshëm ata që mendojnë se duhet përsëritur referendumi, të bindur se disponimi mes britanikëve është i tillë që kthimi në BE do të ishte i sigurt. Për shkak të politikës së jashtme të Trump-it, në mënyrë të papritur, është hapur një debat shoqëror në Islandë dhe Norvegji për nevojën e anëtarësimit në BE.

E papritur, por e vërtetë — BE-ja po shndërrohet në një alternativë ndaj rendit aktual në botën euro-atlantike, aq sa 45% e kanadezëve janë të prirë që shteti i tyre të bëhet anëtar me të drejta të plota i kësaj bashkësie. Rruga drejt Shteteve të Bashkuara të Evropës është nisur, dhe unë jam dikush që shpreson dhe dëshiron që ky proces të përfundojë me sukses.

Në Ballkanin Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina po përballet me vështirësi dhe perspektiva e saj për anëtarësim në BE mbetet ende e largët. Prej vitesh kam shprehur bindjen se Bosnja do të duhet të presë që fqinjët e saj, veçanërisht Serbia, të anëtarësohen më parë, dhe më pas edhe ajo do të hyjë shumë lehtë dhe shumë shpejt në bashkësi. Maqedonia e Veriut, më në fund po bën përparim. Ka pas vetes 20 raporte pozitive nga Komisioni Evropian dhe ka qenë e para që ka përfituar fonde për rritjen e PBB-së, por “çështja bullgare” ende e ngadalëson këtë proces. Shqipëria, aktualisht, është duke punuar më seriozisht se kushdo tjetër për integrimin në BE. Ka marrë këstin e parë të fondeve për rritjen e PBB-së dhe vetëm për 7 muaj ka hapur plot 4 klasterë, pra 24 kapituj në procesin negociator! Për krahasim, Serbia ka hapur 22 kapituj për 7 vjet! E gjithë shoqëria shqiptare e ka marrë seriozisht mundësinë e anëtarësimit deri më 2030, dhe të gjitha institucionet shtetërore, partitë politike dhe shoqëria civile po punojnë në harmoni për ta arritur këtë qëllim. Mali i Zi ka arritur më së largu. Aktualisht është në procesin e mbylljes së të gjitha kapitujve dhe, sipas deklaratave të zyrtarëve evropianë, Mali i Zi ka gjasa të bëhet anëtar i plotë i BE-së që në vitin 2028! Madje as zëdhënësit e “botës serbe” që janë pjesë e koalicionit qeverisës nuk po krijojnë pengesa në këtë proces… për momentin! Kosova ka si pengesë faktin që dialogu me Serbinë ende nuk është përmbyllur, por deklarata e fundit e Kaja Kallas, e dhënë disa ditë më parë, se Marrëveshja e Ohrit po zbatohet sipas planit, jep shpresë që edhe Kosova së shpejti të mund të nisë negociatat e anëtarësimit.

Kemi arritur tek kandidati më i dobët në rajon – Serbia! Pesë vite më parë, Serbia ishte shteti lider në rajon sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian. Sot, ajo prej kohësh po stagnon në procesin e anëtarësimit, dhe për këtë janë kryesisht përgjegjëse autoritetet në Beograd. Edhe pse në mënyrë deklarative pretendohet vazhdimi i rrugës evropiane, regjimi i Aleksandar Vuçiqit po e largon gjithnjë e më shumë Serbinë nga vlerat dhe standardet e BE-së. Kjo vërehet qartë nga fakti se regjimi flet vetëm për “qëndrimin në rrugën evropiane”, por jo për anëtarësimin si një objektiv të mirëfilltë politik. Më e rëndësishme se kjo distancë retorike është fakti se Serbia po largohet prej BE-së si në aspektin e vlerave, ashtu edhe në atë politik. Serbia është i vetmi shtet kandidat që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit kundër Ukrainës, dhe nuk e ka përafruar politikën e saj të jashtme me Brukselin. Ndërkohë, Beogradi zyrtar po bën një sërë gafesh dhe pozicionet e veta ndërkombëtare po i përafron me Rusinë dhe Kinën, me të cilat gjithnjë e më shpesh voton kundër qëndrimeve të BE-së në forumet ndërkombëtare. Së fundmi, pas një votimi në OKB, Aleksandar Vuçiq i kërkoi falje Rusisë për votën e Serbisë, ndërsa ministri i jashtëm serb e njoftoi Moskën se vota e Serbisë ishte ndryshuar më vonë në favor të interesave ruse! Serbia, për më tepër, po largohet nga BE-ja edhe në plotësimin e standardeve evropiane, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, si dhe lirive politike dhe të mediave.

Kjo është pasojë e faktit që në Beograd është në pushtet një regjim hibrid kleptokratik, i cili politikisht nuk mund të mbijetojë nëse zbaton standardet demokratike dhe ligjore të Bashkimit Evropian. Në Serbi, nuk është në pyetje një dilemë mes anëtarësimit në BE apo ndonjë integrimi tjetër alternativ, por një zgjedhje mes Bashkimit Evropian dhe vazhdimit të sundimit të korrupsionit, i cili po e shkatërron në themel shoqërinë serbe. Pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja kryesore pse Serbia është bllokuar në rrugën drejt BE-së — një rrugë që çdo ditë e më shumë po ngjan me një mashtrim të bukur për të anesteziuar 45% të qytetarëve që janë pro anëtarësimit në BE, votat e të cilëve i duhen Vuçiqit, por jo edhe anëtarësimi i vërtetë i Serbisë në Bashkimin Evropian.

Pra, Aleksandar Vuçiq PO GENJEN partnerët evropianë, rajonin dhe qytetarët e Serbisë kur thotë se qëllimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian! Ai nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, jo vetëm sepse është aleat i Putinit, por edhe sepse adhuron Rusinë dhe urren hapur të gjitha vlerat e botës euro-atlantike. Ai kurrë nuk do të ndërmarrë reforma, sepse një prokurori e pavarur, gjykata të pavarura, media të lira, zgjedhje të ndershme – të gjitha këto do të nënkuptonin fundin e sundimit të Vuçiqit. Fatkeqësisht, alternativa e përfaqësuar nga opozita impotente në Beograd realisht nuk ekziston, sepse askush prej tyre nuk është i vendosur, i zëshëm dhe i qartë në luftën kundër narratives ruse! Studentët, si një alternativë e re që po shfaqet, ende nuk janë të profilizuar në aspektin e politikës së jashtme, prandaj nuk mund të konsiderohen ende si një alternativë e plotë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Çfarë i mbetet pra Serbisë? Duke qenë se pengesa më e madhe për anëtarësimin në BE është vetë Vuçiqi, hapi i parë është rrëzimi i regjimit të tij, e më pas ndërtimi i një pozicioni të ri të politikës së jashtme të vendit. Një pozicion që nuk do t’i gënjej qytetarët duke u thënë se Serbia është e pavarur dhe sovrane, ndërsa vendet anëtare të BE-së nuk janë! Është e qartë se çdokush që është pjesë e organizatave të fuqishme ndërkombëtare, siç janë NATO dhe BE, forcon më shumë pavarësinë dhe sovranitetin e vet. Ai që është vetëm, pa aleatë, është i dobët! E ardhmja e Serbisë është në botën euro-atlantike! Sigurisht, serbët nuk do të ishin serbë po të mos e arrinin këtë në mënyrën më të vështirë të mundshme, por ky pozicionim është i pashmangshëm!

Advertisement