Sport
Shpendi prezantohet te Empoli: Kristjan Asllani më dërgoi ‘sms’ urimi
Sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Stiven Shpendi është lojtari më i ri i Empolit në Serie A. 20-vjeçari bëri hapin e madh duke lënë Cesenën në Serie C, teksa megjithë interesin e lartë nga shumë skuadra, zgjodhi Empolin deri në 2025. Përpara medieve në konferencën e prezantimit, shqiptari tha se ishte aty për t’u përmirësuar dhe se luan ku të dojë trajneri. Ish-mesfushori i Empolit dhe lojtari i Kombëtares, Kristjan Asllani e ka uruar Shpendin për kalimin në ekipin e ri.
I pyetur nëse dikush i kishte folur për Empolin, Shpendi tha se jo, por që ish-mesfushori i Empolit, Kristjan Asllani i kishte dërguar mesazh urimi.
“Në fakt jo. Por u kënaqa shumë që Asllani, ditën që firmosa, më dërgoi një mesazh për të më uruar fat të mbarë. Shumë ekipe më donin, por unë nuk kisha dyshime për pranimin e këtij ekipi. Nuk kam krijuar asnjë pritshmëri, e di që është një hap i madh. Qëllimi im personal është të përmirësohem”, tha djaloshi kuqezi.