Kosova
Shpërthen tullumbacja ‘Bota Serbe’/ Kriminelët nga shërbimet sekrete Serbi-Rusi
“Ngjarjet në Kosovë filluan të zhvillohen me shpejtësi kinematografike, pasi përpjekja e fundit për të dalë nga ngërçi i dialogut dështoi” – Keshtu komentoi për median serbe ‘Danas’, Shkëlzen Maliqi, filozof, publicist dhe analist nga Kosova. Gjithçka u thye aty ku lidhja e krizës mes Kosoves dhe Serbisë ishte më e dobët, në veri të Kosovës. I pyetur se si e ka përjetuar atë që tha Kurti, duke akuzuar Beogradin zyrtar për drejtimin e vrasësve të policit të Kosovës, si dhe çfarë tha Vuçiç, duke ia hedhur të gjithë fajin serbëve të Kosovës, i intervistuari i Danas theksoi se këto janë reagimet e pritshme të liderë që akuzojnë njëri-tjetrin prej tre vitesh dhe fajin për dështimin e dialogut ia hedhin palës tjetër, edhe pse nuk ka patur zgjidhje kompromisi nga të dy. “Kurti e ka pasur më të lehtë të akuzojë Vuçicin, sepse ai vetë mburrej se kontrollon veriun e Kosovës përmes Listës Serbe. Ndoshta Vucic nuk dinte për skenarin, ose thjesht shtiret se nuk e dinte. Po të kishte sukses masakra, ai do të gjëmonte kundër grupit terrorist shqiptar, kështu që fajin ua hodhi serbëve, të cilët sipas tij, nuk mund të duronin më “terrorin e policisë shqiptare” – theksoi Maliqi. I pyetur nëse ekziston rreziku i luftës, tani që shohim se sa larg mund të shkojnë serbët nga veriu i Kosovës, analisti nga Kosova tha se “ky grup nuk përfaqëson serbët nga Veriu I Kosovës”. Është një grup i kontrolluar mercenarësh dhe idealistësh të mashtruar që mbështeten nga shërbimet sekrete të Beogradit dhe Rusisë… Serbët nga Kosova janë viktimat më të mëdha të politikës kriminale. Mendoj se tani të paktën një pjesë e serbëve të orientuar në mënyrë demokratike do të zgjohen nga narkoza dhe kontrolli i propagandës proruse dhe e Serbisë së Madhe. Serbia tani po përballet me një kthesë të madhe, flluska e fryrë artificialisht e “botës serbe” mund të shpërthejë së shpejti dhe vetëm atëherë serbët do të kërcënohen jo nga shqiptarët, veriu i Kosovës është nën kontrollin e paktit të NATO-s, por nga pasojat e përçarjes në Serbi… – Deklaroi Maliqi, duke shtuar se Vuçic ka treguar se i ka humbur të gjitha fijet e vetëkontrollit.