Aktualitet
Shpërtheu bombola, pronarja e banesës: Shyqyr që shpëtoi djali
Banorët e zonës janë tmerruar nga shpërthimi i bombulës së gazit që ndodhi në katin e katërt të një pallati në Korçë. Pronarja e shtëpisë ku shpërtheu bombola, Shpresa Gjoka, ka treguar më shumë detaje nga ngjarja. Ajo ka zbuluar se në momentin e shpërthimit në shtëpi ka qenë vetëm i biri i cili është dëmtuar, por se është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ne ishim poshtë po flinim, kur dëgjoj zhurmë penxheret, fluturuan penxheret. Shikoj qelqurina poshtë dhe mendova se ishte tërmet. Kur dola jashtë pash xhama, dyer etj. Shyqyr zotit që nuk kishte njeri jashtë ose ndonjë fëmijë që luante. Në banesë ishte vetëm djali i cili u godit nga qelqurinat. Është dërguar në spital nga komshinjtë të cilët më njoftuan se është në gjendje të mirë shëndetësore. Aty nuk jeton njeri, djali erdhi për të na parë në të shkretët që jemi të sëmurë.
Shpërthimi ka dëmtuar të gjitha penxheret 4 ose 5. Ndërsa bombola ishte nga bombolat e vjetra siç i kemi marrë, di unë si ishin ato flama. Shyqyr që shpëtoi djali”, ka rrëfyer ajo.
Si pasojë e shpërthimit, Klodian Gjoka mbeti i lënduar. 40-vjeçari ka pësuar djegie trupore dhe u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës. Gjoka ishte një emigrant shqiptar, që sapo ishte kthyer nga Greqia. Fatmirësisht, ndodhej vetëm në apartament në momentin e shpërthimit, pasi 5 pjestarët e tjerë të familjes kishin dalë.