Aktualitet
Shpërthim brenda perimetrit të sigurisë së burgut të Fushë-Krujës, dyshohet për lëndë plasëse! Reagon policia

Një shpërthim me lëndë plasëse ndodhi mbrëmjen e kësaj të mërkure brenda perimetrit të sigurisë së burgut të Fushë-Krujës çka ka ngritur në këmbë forcat e rendit dhe ka alarmuar strukturat e sigurisë penitenciare.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:45, kur në sallën operative të policise Tiranë u raportua për një shpërthim të fuqishëm pranë ambienteve të burgut. Menjëherë pas sinjalizimit, forcat e Policisë dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje, ku kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat.
Burime për gazetaren e Top Channel Dorjana Bezat bëjnë me dije se, sipas të dhënave paraprake, dyshohet se është përdorur një sasi e vogël tritoli. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale.
Ndërkohë, kamerat e sigurisë së institucionit po administrohen nga grupi hetimor dhe pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motivit të ngjarjes. Policia vijon punën në terren, ndërsa hetimet po udhëhiqen nga Prokuroria e Krujës.

