Bota
Shpërthim i fuqishëm në Athinë/ Bomba e fshehur në një çantë shpine, para ngjarjes një i panjohur kërcënoi se…

Një bombë shpërtheu pak pas orës 21:30 ora lokale, jashtë ndërtesës së zyrave të Hellenic Train në bulevardin Syggrou të Athinës. Shpërthimit i ka paraprirë një telefonatë paralajmërimi, në orën 20:53, nga një person i panjohur tek portali Zougla dhe Gazeta e Redaktorëve, i cili ka dhënë një afat kohor prej 35-40 minutash. Ai vetë ka paralajmëruar se nuk bëhej fjalë për farsë.
Forca e shpërthimit ka qenë aq e madhe, sa është dëgjuar deri në sheshin Sintagma, ku po zhvillohej një tubim proteste pensionistësh.
Rasti është i ngjashëm me sulmin ndaj Ministrisë së Punës një vit e gjysmë më parë, ku i njëjti mekanizëm shpërthyes ishte vendosur saktësisht në të njëjtën mënyrë në një çantë shpine me dryn. Në vendngjarje specialistët kanë grumbulluar mbetjet nga shpërthimi në mënyrë që të mund të ekzaminohen në laboratorët e mjekësisë ligjore.
Një ekip i Departamentit të Asgjesimit të Mjeteve Shpërthyese (TEEM) i Policisë Greke kishte shkuar më herët në vendngjarje, por nuk pati kohë të kryente një shpërthim të kontrolluar.
Sipas policisë nuk ka të lënduar, ndërsa nuk dihet se çfarë dëmesh ka shkaktuar shpërthimi pasi zona është bllokuar deri në përfundimin e hetimeve. Në vendngjarje kanë shkuar edhe gjashtë zjarrfikës me dy automjete.
Hellenic Train është kompania e trenave në Greqi, e cila ndodhet në qëndër të hetimeve për aksidentin tragjik në Tempi para dy vitesh, ku humbën jetën 57 persona, shumica të rinj.
Ngjarja ndodhet ende në qëndër të vëmendjes së opinionit publik të Greqisë, dhe gjithë partitë opozitare vazhdojnë të kritikojnë përsëri qeverinë e kryeministrit Mitsotakis për mbulimin e fajtorëve të aksidentit.
Shpërthimi vjen vetëm disa orë pas një konference të re për mediat nga komisioni i prindërve të viktimave të kësaj ngjarjeje, në të cilën specialistë nga fusha të ndryshme që punojnë vullnetarisht për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit , kanë sjellë argumenta me të cilat kundërshtojnë një raport të një komisioni të ngritur nga qeveria për shkaqet e shpërthimit pas përplasjes së dy trenave.

