Bota
Shpërthimi i mijëra celularëve të grupit Hezbollah në Liban, 18 viktima, 4000 të plagosur
Rreth 500 anëtarë të grupit Hezbollah kanë humbur shikimin pas shpërthimit njëkohësisht të mijëra radio-lidhjeve (lloj ”pagers”, tip mini-celulare), të cilat i përdornin për të komunikuar. Të paktën 18 viktima dhe rreth 4000 persona u plagosën nga shpërthimet që ndodhën njëkohësisht në Bejrutin jugor dhe disa zona të tjera të Libanit të martën pasdite (17 shtator). Ambasadori i Iranit në Liban ishte mes personave të tjerë që u plagosën.
Grupi Hezbollah fajësoi Izraelin për atë që e quajti “agresion kriminal” dhe u zotua se do të hakmerrej. Ushtria izraelite nuk pranoi të komentojë.
Në deklaratën e tij të fundit të mërkurën, Hezbollah tha se do të vazhdonte “operacionet në mbështetje të Gazës”, duke shtuar se kjo ishte “një rrugë e vazhdueshme e ndarë nga çmimi i rëndë që pret armikun në përgjigje të masakrës së tij të martën”.
Shkollat dhe universitetet janë sot të mbyllura. Spitalet në Bejrut dhe në pjesën tjetër të vendit po bëjnë thirrje për dhurim gjaku.
“Isha duke punuar në dyqanin tim – tregon një kasap për gazetën New York Times – kur dëgjova atë që dukej si një e shtënë dhe pashë një djalë duke rënë i gjakosur nga motori i tij. Pastaj dëgjova shpërthime të tjera”.
Gurpi i Hezbollah ishte furnizuar së fundmi me pajisjet e komunikimit dhe dyshohet se shërbime sekrete izraelite i kishin manipuluar, duke vendosur brenda secilit një sasi eksplozivi, të cilën e kanë aktivizuar pastaj njëkohësisht nëpërmjet një kodi. Çdo anëtarë i grupit libanez të Hezbollah e përdor këtë lloj pajise për të marrë mesazhet nga eprorë apo nga familjarë.
Sipas mediave një nga hipotezat mund të jetë që Shërbimet sekrete izraelite mund të kenë kapur një stock të këtyre pajisjeve të destinuara për Hezbollahun dhe mund të kenë fshehur eksploziv brenda tyre, në mënyrë që të mund të kontrollojnë nga distanca shpërthimin. Grupi libanez mund t’u ketë dhënë anëtarëve të tij pajisjet si një mjet për të shmangur komunikimet telefonike, të cilat përgjohen lehtësisht, dhe kështu padashur kanë bashkëpunuar me planin izraelit.