Connect with us

Kronike

Shpërthimi me 2 viktima në Lushnje/ 32-vjeçari i arrestuari mohon akuzat, por lihet në qeli

Leonard Gjini, i vetmi i arrestuar për shpërthimin që shkaktoi 2 të vdekur dhe 7 të plagosur është lënë në qeli.

Ne gjykatën e Fierit u zhvillua këtë të enjte seanca gjyqësore për masën e sigurisë ndaj 32-vjeçarit Gjinit.

Gjyqtarja Dorina Alushi vendosi në përputhje me kërkesën e prokurorisë duke caktuar “arrest me burg” për të riun, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin nga qelia. Akuza në seancë u përfaqësua nga prokuroret Elona Gixhari dhe Lorena Salillari.

I arrestuari, pronar i firmës “Gjini Konstruksion’ sh.p.k. , nuk e ka pranuar akuzën. Ai i ka qëndruar dëshmisë së dhënë më herët për policinë se si sipërmarrës, ka lidhur një kontratë me deputetin Bujar Çela për të ndërtuar magazinën. Por, shton se kompania e tij nuk e nisi kurrë punën dhe se punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë se ndërtimit që ai ka.

Gjini u arrestua pak ditë pas shpërthimit. Policia e akuzoi se “me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtës në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda”.

Përveç kushteve të punës, policia gjeti shkelje në lejen e ndërtimit të magazinës nga deputeti Çela. Sipas hetimeve paraprake, magazina ku po punohej, në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela, një ndër të plagosurit, ishte në shkelje të lejes së ndërtimit. Megjithatë, ende nuk është ngritur akuzë ndaj deputetit.

Advertisement