Aktualitet
Emri+foto/ Shpërthimi në Hagë, mes viktimave edhe një shqiptar, flet e shoqja: Dua të di…
Një nga gjashtë personat e gjetur të vdekur pas një shpërthimi që shkaktoi shembjen e pjesshme të një pallati në Hagë pak ditë më parë, është identifikuar nga familjarët e tij. Viktima është Vikel Kamberaj, një inxhinier ndërtimi me kombësi greke dhe shqiptare, i cili jetonte në Holandë prej më shumë se 2 vitesh.
44-vjeçari ka lënë pas gruan dhe tre fëmijët e tyre të vegjël, një djalë 7 muajsh , një vajzë 6 vjeç dhe një djalë 10 vjeç.
“Humbja e 44-vjeçarit, i cili ishte aq i emocionuar për ndërtimin e një jete të re në Holandë, ishte shkatërruese për miqtë dhe familjen,”- tha gruaja e tij, Maria Apostolaki për “NL Times“.
“Si mund të ndodhë kjo?,”– shtoi ajo pa mundur që t’i mbante lotët, ndërsa po ndiqte nga shtëpia e tyre në Athinë, hap pas hapi lajmet për fatkeqësinë që sapo kishte ndodhur në Hagë.
Gjatë gjithë kohës, fëmijët e pyesnin “nëse babai i tyre ishte gjallë” dhe pse nuk mund ta telefononin. E shqetësuar, Apostolaki tha se ndihej e pafuqishme dhe nuk dinte çfarë t’u thoshte. Ankthi i saj u shtua pasi autoritetet holandeze nuk i jepnin të dhëna, teksa kërkimet në rrënoja vazhdonin.
U deshën dy ditë e gjysmë për të konfirmuar vdekjen e Kamberajt.
Shpërthimet u raportuan fillimisht rreth orës 6:15 të mëngjesit të së shtunës dhe zjarrfikësit punuan për orë të tëra duke u përpjekur për të luftuar flakët ndërsa muret e ndërtesës u shembën. Nga pasditja e vonë e së shtunës deri në mëngjesin e hershëm të së hënës, u gjetën trupat e gjashtë personave, përfshirë dy prindër dhe vajzën e tyre 17-vjeçare. Vëllai 8-vjeçar i vajzës ka shpëtuar. Vetëm të hënën në mbrëmje Maria Apostolaki mësoi se bashkëshorti i saj nuk konsiderohej më i zhdukur dhe se ai ishte një nga viktimat e ngjarjes. Ai u identifikua pasi një anëtar i familjes i dha një mostër të ADN-së autoriteteve holandeze që hetonin fatkeqësinë.
Ai shkoi në Holandë dy vjet më parë, pasi u kontaktua për një punë të re. Inxhinieri ishte i emocionuar për mundësinë e ndërtimit të një jete më të mirë për familjen e tij nga Hagë, pas një periudhe të vështirë gjatë krizës financiare në Greqi dhe pas pandemisë së koronavirusit.
“Ne po mendonim të shkonim atje të gjithë së bashku për një jetë më të mirë, për shkolla më të mira, sepse atje nuk ka dhunë. E megjithatë, ne jetuam në Greqi për kaq shumë vite dhe asgjë nuk ndodhi. Është shumë ironike,”- tha gruaja e viktimës.
Të dy u takuan më shumë se dy dekada më parë në universitet. Kamberaj ishte një shtetas grek dhe shqiptar, i cili jetoi në Greqi nga mosha 7-vjeçare derisa u transferua në Hagë. Maria ka lindur në Gjermani nga prindër grekë dhe gjithashtu ka jetuar në Greqi si fëmijë.
“Ai ishte i dashuruar me Holandën. Atij i pëlqente gjithçka. Ai po përpiqej të më bënte të shkoja atje, por për disa arsye nuk doja të shkoja”.
Maria Apostolaki e kupton tashmë se do t’i duhet të vazhdojë jetën pa bashkëshortin e saj dhe përpiqet të qëndrojë në mbështetje të fëmijëve të saj, edhe pse situata është kaq e papritur për të gjithë.
“Shpresoj që drejtësia të triumfojë dhe të zbulojmë se kush ia bëri këtë familjes tonë,”- tha ajo.
Hetimi penal për shpërthimin dhe shembjen e godinës ende vijon. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë çdo lidhje mes ngjarjes tragjike dhe një automjeti të dyshimtë që u largua nga vendi i ngjarjes të shtunën.
Pavarësisht kësaj, Maria thotë: Nuk kam urrejtje për askënd. Unë vetëm dua të di të vërtetën. Fëmijët e mi meritojnë të dinë se çfarë ka ndodhur me babain e tyre.