Aktualitet
Shqipëria armatoset rëndë, Kosova shenjeston ‘Black Hawk’, Kroacia blen topa Caesar nga Franca
Qeveria shqiptare ka miratuar të mërkurën e 5 nëntorit vendimin që i jep shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a. të drejtën të prodhojë dhe tregtojë armë, municione, pajisje, teknologji dhe veshje ushtarake të prodhuara në territorin shqiptar.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, “KAYO” mund të operojë vetë ose përmes filialeve të saj, duke furnizuar strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes në vend.
Kjo nismë vjen pas ligjit të ri për krijimin e shoqërisë shtetërore të armëve, i cili synon zhvillimin e një kapaciteti vendas për mbështetje logjistike dhe teknologjike të Forcave të Armatosura shqiptare.
Qeveria parashikon një rritje të ndjeshme të fondeve për mbrojtjen kombëtare në buxhetin e vitit 2026, me 100 milionë euro më shumë krahasuar me vitin aktual.
Me këtë rritje, shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 589 milionë euro, ose afërsisht 2.1% të prodhimit të brendshëm bruto – duke e afruar Shqipërinë me objektivat e rinj të NATO-s.
Në relacionin shoqërues të projekt-buxhetit thuhet se prioritetet për periudhën 2026-2028 do të përqendrohen në modernizimin e kapaciteteve ushtarake, pajisjen e forcave tokësore me armatim të ri të ndërveprueshëm me NATO-n, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe sistemeve teknologjike të Forcave të Armatosura.
Qeveria thekson gjithashtu se pjesëmarrja në operacionet e Aleancës do të rritet, ndërsa Forcat e Armatosura do të vijojnë angazhimet në misione ndërkombëtare dhe përballjen me emergjencat civile.
Samiti i 25 qershorit në Hagë regjistroi një moment historik për të gjithë vendet anëtare të NATO-s, duke riafirmuar angazhimin e palëkundur për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje deri në 5 për qind të PBB-së brenda një dekade.
Në këtë kuadër, Shqipëria ka nisur prej kohësh që të ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së këtij angazhimi.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur më herët se vendi po harton një plan të detajuar për të rritur gradualisht shpenzimet e mbrojtjes, duke synuar që brenda një periudhe 10-vjeçare të arrijë synimin e 5 për qind të PBB-së, siç është kërkuar nga Aleanca.
“Ne jemi të vendosur që këto investime të mos jenë thjesht për blerjen e armatimit, por të jenë një motor për zhvillimin ekonomik brenda vendit”, theksonte Vengu.
Sipas tij, fondet e dedikuara do të kanalizohen edhe “në zhvillimin e infrastrukturës ushtarake që ka përdorim civil”, duke krijuar kështu një sinergji mes mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Në përputhje me këtë strategji, Shqipëria është në bisedime intensive me disa kompani ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur interes për investime në linjat e prodhimit të artilerisë së rëndë, armatimit të lehtë, municioneve, automjeteve të blinduara dhe uniformave ushtarake.
Marrëveshje e re mbrojtjeje mes Shqipërisë dhe Italisë
Qeveria shqiptare ka miratuar në parim marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Italinë, një hap që synon të thellojë partneritetin strategjik mes dy vendeve në fushën ushtarake.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave ka vendosur zgjatjen e misionit të Forcave të Armatosura shqiptare në Sinai të Egjiptit, deri më 30 dhjetor 2029, si pjesë e forcës shumëkombëshe të vëzhguesve (MFO).
Efektet financiare do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Më 25 qershor 2023 filloi kontributi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionin e MFO-së në Sinai, duke përfshirë 3 personel ushtarakë nga Policia Ushtarake në një rotacion 1-vjeçar.
Shqipëri-Itali
Qeveria shqiptare dhe italiane pritet të zhvillojnë më 13 nëntor në Romë një mbledhje të përbashkët, për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, sipas raportimeve të mediave.
Takimi pritet të shënojë nivelin më të lartë të bashkëpunimit strategjik mes Tiranës dhe Romës zyrtare.
Disa ditë më parë qeveria shqiptare miratoi në parim një marrëveshje të re për bashkëpunim strategjik me qeverinë italiane, që përfshin të paktën 10 fusha – nga shëndetësia, energjia dhe mjedisi, te industria e sigurisë dhe zhvillimi inteligjent.
Në prill, tre anije italiane mbërritën në Portin e Durrësit, mes tyre edhe anija patrulluese “Libra”, e cila iu dhurua Flotës Detare shqiptare për të forcuar kapacitetet e patrullimit në det të hapur.
Kroacia porosit 18 topa Caesar nga Franca
Kroacia do të blejë 18 topa Caesar përmes Agjencisë franceze të Armatimit (DGA) në partneritet me Estoninë, Bullgarinë, Portugalinë dhe Slloveninë. Kjo kontratë përfshin pajisje dhe mbështetje shtesë për të standardizuar kapacitetet e saj operative.
E miratuar nga Komiteti kroat i Mbrojtjes, kjo kontratë pritet të nënshkruhet në dhjetor, pas miratimit formal të qeverisë. Ministria kroate e Mbrojtjes ka njoftuar se financimi do të sigurohet nga Programi i Huave për Mbrojtjen i Bashkimit Evropian.
Dorëzimi i Caesar-ëve është planifikuar për vitin 2029 – pjesa e parë përfshin topat vetëlëvizës, ndërsa pjesa e dytë përfshin pajisje mbikëqyrjeje, automjete komunikimi dhe automjete të blinduara, si dhe kamionë për transportin e municioneve.
Topi Caesar, kalibër 155 mm i montuar mbi kamion, është në gjendje të lëshojë gjashtë predha deri në 40 kilometra në më pak se një minutë. Ai shërben në ushtrinë franceze që nga viti 2008 dhe ka treguar efikasitet të lartë në fushëbetejën e Ukrainës.
Kroacia, shtet anëtar i NATO-s i cili së fundmi miratoi një plan investimesh prej 1.9 miliardë eurosh për modernizimin e mbrojtjes, planifikon gjithashtu të blejë tanke gjermane Leopard, sisteme kundër dronëve dhe kamionë ushtarakë Tatra.
Tmerrohet Serbia/ Kosova drejt blerjes së helikopterëve “Black Hawk”
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa ka folur për një takim në janar të këtij viti, të një delegacioni të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes dhe të Departamentit të Shtetit, ka thënë se në atë takim janë diskutuar mundësitë e blerjes së helikopterëve “Black Hawk”.
Gjatë vizitës në kompaninë “Lockheed Martin”, sipas Maqedoncit bisedimet kanë përfshirë detaje teknike dhe financiare, ndërsa aktualisht po zhvillohen analiza para se të kalohet në fazën e blerjes.
Maqedonci ndër të tjera ka potencuar se gjatë muajve të fundit FSK-ja ka blere një sërë pajisjesh të reja, përfshirë dronë – mes tyre edhe dronët “Puma” nga SHBA – automjete të blinduara dhe sisteme të tjera ushtarake, disa prej të cilave janë bërë publike dhe disa të tjera jo.
Ai shtoi se gjatë këtij mandati janë bërë investime të konsiderueshme, rreth “400 milionë euro”, për blerjen e armatimit dhe pajisjeve të ndryshme, ku shumica e marrëveshjeve janë realizuar përmes bashkëpunimeve “shtet më shtet”.