Connect with us

Shkrime

Shqipëria dhe rendi që ushqehet me lodhjen pa lindur drejtësi!

Nga Arian Galdini
Heshtja që rëndon më shumë se varfëria
Ka një vend ku puna është ritual.
Jo akt ndërtimi, por kthim i përditshëm te e njëjta shkretëtirë.
Një lodhje që zgjat sa një jetë, por që nuk ngre asnjë urë përtej mbijetesës.
Shqipëria është kombi i njerëzve që punojnë gjatë, thellë dhe në heshtje, në një rend që nuk i jep shpërblim, por i kthen në zëra të fikur në statistika boshe.
The Economist e tha me gjuhën e saj:
Shqiptarët punojnë më shumë se europianët e tjerë, por përfitojnë më pak se të gjithë.
Unë nuk shoh këtu dështim ekonomik.
Shoh padrejtësi strukturore të kamufluar si rend normal.
Mund që derdhet mbi toka të pavlera
Në këtë vend, toka nuk është më nënë.
Është hije që pret djersën, por nuk lind fryt.
Një fshatar që mbjell çdo stinë, e sheh tokën si ritual vjetërsie, jo si burim shprese.
Tregu nuk i jep kthim, shteti nuk e mbron,
vlera nuk ngjizet në mund, por në afërsi me pushtetin.
Në qytet, sipërmarrësi i ndershëm i sheh ditët të përkthen dritën në fatura,
jo në fitim.
Sepse këtu, nuk shpërblehet as rreziku, as përkushtimi, shpërblehet lidhja.
Ekonomia nuk është më rend krijimi.
Ajo është strukturë që ushqen një pakicë me energjinë e shumicës.
Fasada që e hanë rrënjët
Qeveria nuk ndërton zhvillim.
Ndërton pamje të zhvillimit.
Shifrat rriten si tullumbace mbi realitetin e një populli që ka shteruar në heshtje.
Një pagë e re në administratë.
Një rrugë e re që mbulon borxhin.
Një koncesion i ri që zhduk mundësinë për konkurrencë.
Ky nuk është më as vizion qeverisës e as program ekonomik.
Është art i maskimit, ku zëri i njeriut që punon nuk dëgjohet më, sepse është mbytur nga zhurma e atyre që përfitojnë pa punuar.
Çfarë duhet të ndodhë?
Nga këndvështrimi im si Kryetar i LRE Rinisja, gjithashtu edhe si ekonomist e patjetër si autor i librit Neoshqiptarizmi, unë nuk propozoj një të djathtë klasike.
Propozoj një kthim shqiptar të drejtësisë ekonomike.
Një të djathtë që lind jo nga tradita, por nga urgjenca për të shpëtuar njeriun e ndershëm nga rrënimi sistemik.
Ky është Shqiptarizmi Ekonomik:
– Një shtet që tërhiqet nga loja e privilegjit dhe ngrihet në rolin e drejtësisë.
– Një treg që shpërblen përpjekjen, jo lidhjen.
– Tokë që mbrohet si gjaku i kombit.
– Arsim që ngjiz dije për ndërtim, jo diploma për korniza.
– Taksim që favorizon krijimin, jo konsumimin e marrë.
– Energjia që nuk shitet, por u jep shqiptarëve fuqinë për të qëndruar këtu.
Kjo nuk është reformë.
Kjo është rindërtim i njeriut në qendër të ekonomisë.
Fjalë për ata që nuk flasin më
Unë flas për atë fshatar që mbjell pa kthim,
për atë grua që mban familjen me tre punë,
për atë djalë që ndërton biznesin e tij dhe sheh vetëm pengesa.
Ata nuk kërkojnë më shumë.
Kërkojnë të mos rrënohen nga një rend që s’ua njeh shpirtin.
Dinjiteti nuk është luks.
Është kusht për jetë me kuptim.
Kombet që rrojnë gjatë, janë ato që e njohin punën si shenjtëri, dhe shpërblimin si drejtësi.
Unë nuk kërkoj pushtet.
Kërkoj rend që nuk lodh njeriun për të mbajtur të padrejtin.
Kjo është e djathta që nuk ka ndodhur ende.
Një e djathtë autentike shqiptare që lind nga vetë populli i lodhur, si fitore e heshtur që ngrihet.
Arian Galdini
Advertisement