Connect with us

Aktualitet

Shqipëria digjet nga temperatura rekord – Ja qytetet me 43 gradë Celsius

Kjo javë që sapo ka nisur pritet të shënojë temperatura të larta rekord në vendin tonë. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ndikimi i anticiklonit afrikan do të sjellë mot të kthjellët në të gjithë territorin dhe temperatura shumë të larta. Orët e gjata me diell dhe masat ajrore të nxehta do të bëjnë që termometri të regjistrojë vlera deri në 43 gradë celsius, duke nisur nga e mërkura, kryesisht në qytetet Berat, Elbasan dhe Gjirokastër. Ndërkohë, në qytetin e Bajram Currit temperaturat maksimale gjatë javës në vijim nuk do të kalojë vlerën prej 36 gradë celsius. Rritja rekord e temperaturave vjen si pasojë e mbërritjes së anticiklonit afrikan Caronte, i cili do të ketë ndikimin e tij kryesisht në Itali dhe vendet e Ballkanit. Ndërkohë, edhe në disa zona të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë, temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë celsius. Në kryeqytetin e Italisë, Romë, parashikohet që ditën e martë temperatura maksimale të arrijë në 43 gradë celsius, por rekordi, përsa i përket Italisë pritet të regjistrohet në ishujt e Sardenjës dhe Sicilisë, si dhe në rajonin e Puljas ku termometri do të shënojë vlera nga 45 deri në 47 gradë Celsius. Në këtë periudhë me temperatura tejet të larta, mjekët këshillojnë shmangien e daljeve në diell gjatë orëve të pikut, pirjen e të paktën dy litrave ujë në ditë dhe mos konsumimin e kafesë dhe alkoolit, që janë lëngje dehidratuese.

Advertisement