Connect with us

Aktualitet

Shqipëria ka porositur raketa ‘Javelin’ dhe ‘Stinger’

Deputeti i PS, Denis Deliu deklaroi se lufta në Ukrainë ka sjellë ndryshime të thella në rendin ndërkombëtar dhe ka përshpejtuar riarmatimin e shteteve, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, pas agresionit rus, shumë shtete po ndjekin objektivat e tyre përmes forcës, ndërsa të tjera po mbrohen duke fuqizuar kapacitetet ushtarake.

Në emisionin  “Log” në News24, ai theksoi se vendimmarrja për sigurinë ka ndryshuar rrënjësisht dhe sot shumë shtete janë në radhë për të siguruar armatime. Shqipëria, sipas tij, ka bërë investime të zgjuara në Forcat e Armatosura, përfshirë porositë për raketat Javelin dhe Stinger, që janë shumë të kërkuara ndërkombëtarisht.

Në lidhje me zhvillimet rajonale, Deliu ngriti shqetësimin për rritjen e buxhetit të mbrojtjes nga Serbia, që në vitin 2025 do të arrijë në 2.2 miliardë euro.

“Kjo shumë tejkalon buxhetet e të gjitha vendeve të NATO-s në Ballkanin Perëndimor të marra së bashku. Kjo nuk është vetëm për mbrojtje, por përfaqëson një qasje agresive. Serbia, si aleate e Rusisë, përmes furnizimeve ushtarake, mund të kërkojë destabilizimin e rajonit,” – paralajmëroi ai.

Denis Deliu: Situata gjeopolitike, por edhe gjeostrategjike pas luftës në Ukrainë ka ndryshuar. Kemi një rend të ri botëror, kemi shumë shtete që duan të arrijnë objektivat përmes forcës, ndërsa disa shtete të tjera duan të mbrohen përmes ushtrive.

Lufta në Ukrainë solli një reflektim të çdo shteti për tu riarmatosur. Kjo ndikoi edhe në Ballkanin Perëndimor, edhe për Shqipërinë, duke qenë një vend anëtar i denjë i NATOs, por nuk ishte investuar sa duhej. Shtet mjaftoheshin për të plotësuar ato kapacitetet që NATO-s i duhej.

Lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka, ndryshoi qasjen, vendimmarrjen e duhur sa i përket mbrojtjes ushtarake. Sot kemi kërkesa nga shumë shtete për furnizim me armë.

Ndërkohë Shqipëria, vitet e fundit ka bërë një investim të zgjuar sa i takon FA. Sot në forcën tokësore kemi një armatim të lehtë. Kemi bërë porosi për raketa Javelin dhe Stinger. Ka shumë shtete që presin radhë per tu furnizuar. Në Ballkanin Perëndimor të gjitha vendet e NATO-s, duke përfshirë edhe Kosovën, kërkojnë që të forcojnë mbrojtjen e tyre. 

Kemi Serbinë që ka rritur buxhetin për mbrojtjen në 2025 në shifrën 2.2 mld euro, është një shifër shumë e madhe po të krahasosh me vendet e NATO-s të Ballkanit Perëndimor, pothuajse i tejkalon të gjitha së bashku. 

Është një vlerë që shikon që ky buxhet nuk ka vetëm interes mbrojtjen e Serbisë, por qasja e saj është me ide sulmuese dhe patjetër që rreziku rus në Ballkanin Perëndimor qëndron, Serbia është një vend mik i Rusisë dhe përmes furnizimit apo përgatitjes ushtarake kërkon që të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

Advertisement