Connect with us

Aktualitet

Shqipëria në listën e zezë të korrupsionit/ Raporti i ‘TI’: kompania pranë PS mori 300 mln euro për 17 km rrugë, politikanët po pasurohen

Një raport i “Transparency International”, një institucion i specializuar për korrupsionin,  e ka futur Shqipërinë në listën e zezë të korrupsionit.

“Një ligj i miratuar në Shqipëri i ka dhënë A.N.K Sh.P.K., një kompani pranë Partisë Socialiste në pushtet, një kontratë jashtëzakonisht të çmuar për ndërtimin e një rruge 17.2 km. Kostot e ndërtimit pritet të jenë gati 300 milion €, mbi dyfishin e shumës që qeveria kishte parashikuar.”, thuhet në raport.

Bëhet fjalë për kompaninë e ish-deputetit të PS Ndue Kola, e cila aktualisht është nën emrin e të vëllait.

Në vitin 2018, kompania A.N.K. paraqiti një propozim të pakërkuar për qeverinë e Shqipërisë për ndërtimin e autostradës Milot-Balldren.

“Në tetor Ministria e Infrastrukturës njoftoi një Koncesion 13-vjeçar për A.N.K Sh.P.K. për ndërtimin e rrugës 17.2 km Milot-Balldren. Ligji Nr 52 u miratua në Korrik 2019 për këtë qëllim. Për punën, kompania do të ngarkojë 256 milion € (15 milion € për km), më shumë se dyfishi i shumës që qeveria e Shqipërisë kishte parashikuar për ndërtimin e rrugës në Strategjinë e Transportit Sektorial 2016-2020. Megjithatë, qeveria alokoi një shtesë prej 44 milion € për projektin në planin e tij buxhetor afatmesëm, duke rritur koston totale në gati 300 milion €. Institucioni i Lartë i Kontrollit të Shtetit të Shqipërisë (KLSH) zbuloi një rritje artificiale në kostot e projektit të krijuar duke e kualifikuar projektin si një “autostradë” në vend të një “rruge ndërurbane” me një rritje konsekuente të çmimit nga 61.5 milion € në 140 milion € në studimin e fizibilitetit.”, thuhet më tej në raport.

Raporti thotë se kapja e shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi po pasuron politikanët dhe rrjetet e tyre me koston e rëndë të qytetarëve të zakonshëm.

“Prania e kapjes së shtetit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi është raportuar në raportet e zgjerimit të Komisionit Evropian për vendet, por mbështetjet dhe motivimet e tij nuk janë adresuar sa duhet në reformat e promovuara në rajon”, thuhet më tej.

Një shembull i klientelizmit politik paraqitet në rastin e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, anëtar i komitetit drejtues të Partisë Socialiste në atë kohë dhe përgjegjës për fushatën zgjedhore në Durrës gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 në Shqipëri. Dako bashkëpunoi me klanin lokal Avdulaj në blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve në këmbim të trajtimit të favorizuar në institucionet lokale.”

Raporti  i ri i “Transparency International”mbi Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë zbulon dy faktorët kryesorë të kapjes së shtetit: ndikimi gjyqësor dhe hartimi i ligjeve.

Hulumtimi i thelluar i përpjekjeve anti-korrupsion i kryer nga Transparency International në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal i Zi, Serbi dhe Turqi midis 2014 dhe 2015 zbuloi se kapja e shtetit ishte një problem prej shumë kohësh në të shtatat vende. /Gazeta SHQIP

 

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *