Connect with us

Aktualitet

“Shqipëria në rrezik nga një regjim”/ Lubonja: Opozita të bashkohet në një front

Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë foli për situatën politike në vendin tonë. Lubonja, duke folur për primaret në PD, deklaroi se ata shërbejnë për të rritur konkurrencën brenda partisë.

Por, Lubonja shtoi se ekziston rreziku që të zgjidhen kandidatët që janë paracaktuar ose të preferuar të kryetarit të partisë.

“Primaret në parim janë të mira. Me gjithë problemet, primaret mund të shtojnë konkurrencën. Duhet të ishte një garë e rregullt. Zgjedhjet duhet të jenë të ndershme. Nëse primaret bëhen sa për sy e faqe për të gënjyer dynjanë, atëherë është problem. Primaret janë përvojë e mirë e duhet të hyjnë në të gjithë politikën shqiptare”, tha Lubonja.

Më tej, Lubonja shtoi se Shqipëria është në rrezik nga një regjim. Ai sugjeroi se më e mira  në këto zgjedhje do të ishte që opozita të shkonte e bashkuar në zgjedhje.

 

 

“Me sa kuptojmë situatën, qeveria teknike është lënë mënjanë. Ata kanë vendosur të hyjnë në zgjedhje, edhe pse nuk kemi qeveri teknike. Është disi dështim i opozitës. PD nuk ka fuqi. Po të shikosh situatën në Serbi, Vuçiç ka presion, sepse është regjim. Opozita duhet të bashkohet në një front. Shqiptarët në tërësi nuk bashkohen dot. Shqiptarët i bashkon i forti, kur e shohin se po fiton. Opozita po shkon ndaras në zgjedhje dhe ky është dështim i gjithë opozitës. Shqipëria është në rrezik nga një regjim. Qeveria është në rrugën e krimit, që prodhon krim dhe përfill çdo protestë, që qëndron. Është dështim edhe i drejtësisë”, u shpreh Lubonja.

Në lidhje me votën e diasporës, Lubonja deklaroi se PS do të gjejë forma manipulimi edhe të votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Për mua, autogol ka qenë edhe pranimi i reformës në drejtësi, ndërkohë që ke përballë një njeri, që të gjitha ristrukturimet që ka bërë, i ka bërë për të forcuar pushtetin e tij dhe jo demokracinë. Parimisht është e drejtë që të votojnë emigrantët, por PS do të gjejë forma për të manipuluar votën e emigrantëve, me patronazhimin, me ca që kanë marrë edhe kulla. Krimi i organizuar këto para i grumbullon në Perëndim dhe është interesuar që “parkimin e parasë” ta vazhdojë. SPAK mund të ketë dëshirë për të hetuar krimin elektoral, por nuk ka fuqi”, deklaroi Lubonja.

Advertisement