Politike
“Shqipëria në udhëkryq”/ Rama: Nuk ka majtas e djathtas, ka vetëm përpara

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim elektoral në Lushnje. Rama iu drejtua lushnjarëve duke u thënë se deri më 11 maj duhet të shfrytëzojnë momentin për të bërë të tjerë me vete për të votuar PS-në. Ai shtoi se duke i bashkuar votat qytetarët u japin një shtysë Shqipërisë për të mbyllur negociatat dhe për të nënshkruar marrëveshje.
“Është magjepsëse të mendosh që kjo histori të vije dhe të lidhet me një votë, te vota e secilit prej nesh. Të kërkoj që në të bashkojmë duart tona, të kapërcejmë hendeqet mes nesh, te mos shohim majtas e djathtas, por vetëm drejtë dhe duke i bashkuar votat tona t’i japin një shtysë Shqipërisë, një fuqi të re për të mbyllur negociatat, për të nënshkruar marrëveshjen dhe për ta çuar Shqipërinë zonjë të asaj shtëpie. Është vetëm një fletë votimi, vullnet për të votuar, nuk qëllon që zgjedhjet për qeverinë të lihet me historinë….
Ju e dini shumë mirë se çfarë duhet të bëni në 11 maj përderisa jeni këtu dhe dëgjoni akoma fjalimet e mia. Ajo që duhet bërë deri në 11 maj nuk është thjeshte që të prisni që të vijë momenti që të shkoni të votonit, por që çdo koment deri në atë moment ta shfrytëzoni për të bërë të tjerë me vete, për të telefonuar atyre në emigracion që i kanë marrë zarfet dhe nuk i kanë kthyer mbrapa, ta shfrytëzoni për të folur me ata që janë akoma të lëkundur, për tu folur fqinjëve që deri më sot, kanë qenë në anën tjetër.
Për t’ju thënë se në 11 maj nuk ka dy anë, në 11 maj ka vetëm një drejtim dhe është drejtimi Shqipërisë 2030 në BE. Kam bindjen se ne sot jemi më të ditur, më me eksperiencë, por dua që ju dhe të keni bindjen e në sot jemi më të vendosur se asnjëherë për ta çuar deri në fund misionin tonë”, tha Rama.

