Aktualitet
Shqipëria pajiset me dronë kamikazë të prodhuar në Turqi

Shqipëria është pajisur me dronë kamikazë të prodhimit turk. Gjatë vizitës së ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengut në bazën ajrore të Kuçovës u publikuan edhe fotot e dronëve kamikazë. Sipas fotove, Shqipëria është pajisur me dronët model YIHA-III, i përshtatshëm për sulme me precizion të lartë kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore të armikut, instalimeve të radarëve dhe bazave të operimit.
Dronët mund të qëndrojnë disa orë në ajër para se të ekzekutojnë sulmin mbi shënjestrën e përcaktuar.
Po ashtu, përveç dronëve kamikazë, një tjetër zbulim janë edhe bombat e drejtuara me lazër për dronët Bayraktar TB2. Ndërsa nuk ka informacione rreth numrit të dronëve që Shqipëria ka marrë nga Turqia. Armatimi me dronët kamikaz u njoftua edhe nga kryeministri Edi Rama në tetor të vitit 2024.

