Connect with us

Aktualitet

Shqipëria, “parajsa” e prostitucionit?!

Në fillim të viteve 1990, prostitucioni në vendin tonë ishte praktikisht i panjohur, por me fillimin e emigrimit, Shqipëria u bë një nga eksportueset e punonjëseve të seksit.

Trafikantët ofroheshin të martoheshin me vajzat, por në momentin që i nxirrnin ato jashtë vendit, të rejat përfundonin në rrugë. Për vite me radhë, vajzat shqiptare kanë qenë viktima të trafikimit për seks në vende të Evropës, si në Greqi, Itali, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Maqedoninë e Veriut, Norvegji, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Sot, situata është përmbysur, në një vend si Shqipëria ku prostitucioni është ende i paligjshëm, ky aktivitet ushtrohet hapur, por jo nga vajzat shqiptare

Në lagjet më kryesore të kryeqytetit ka shtëpi të marra me qira ku jetojnë vajza të huaja dhe ushtrojnë veprimtarinë e prostitucionit. Tutorët janë shqiptarë ose të huaj që bashkëpunojnë me shqiptarë, por që nuk i druhen aspak drejtësisë.

Pazaret për vajzat dhe reklamimet e tyre bëhen pa pasur asnjë stepje, sikur autoritetet të mos ekzistonin.

Një prej tyre janë faqet online në të cilat reklamohen me të dhënat e tyre kryesore si dhe afishojnë shifrat që kërkojnë në këmbim të shërbimeve të përcaktuara.

Por nuk mungon as roli i sekserëve që në shumë zona e luajnë administratorët e pallateve, që janë ‘kyçi’ i futjes në godinë dhe për të mbyllur një sy, duhen paguar.

Bazuar në operacionet e zhvilluara që kanë vënë në pranga punonjëset e seksit në Tiranë, tre zonat më të frekuentuara janë Mozaikut i Tiranës, rruga “Haxhi Hysen Dalliu” pranë bulevardit “Zogu i Parë” si dhe Rruga e Kavajës.

Shkodra, Elbasani, Durrësi dhe Vlora janë kthyer gjithashtu në një bazament të përshtatshëm për këto grupe vajzash.

Gjatë sezonit të verës, rrethi zgjerohet dhe këto vajza shpërngulen në bregdet, kryesisht në jug ku probabiliteti për të gjetur klientë me më shumë të ardhura është më i madh.

Afro 20 raste janë zbuluar vetëm dy vitet e fundit. Në vitin 2023 një operacion zbuloi se Tirana ishte shndërruar në destinacionin e vajzave nga lindja që ofrojnë shërbime seksuale kundrejt pagesës. Vajzat nga Libia, Taxhikistani apo Azerbaxhani por edhe Kina apo Vietnami vijnë në vendin tonë si turiste dhe marrin apartamente të ndryshme me qira ku ushtrojnë aktivitetin e tyre kundrejt shumave nga 100 deri në 400 euro. Reklamimin e bëjnë hapur në një faqe internet të quajtur ‘Tirana escorts’.

Ky aktivitet ra në sy të autoriteteve pasi 3 nga vajzat ranë pre e grabitjes nga disa adoleshentë të cilët nën kërcënimin e thikës, u morën celularët dhe paratë. Tre të miturit të dyshuar për vjedhje me dhunë thanë para uniformave blu se ranë në kontakt me të huajat në një faqe interneti ku ato ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës në apartamente të marra me qira në Tiranë.

Hetimet zbuluan se këto vajza nuk ishin të vetmet.

Një sherr mes një 39-vjeçari dhe një vajze nga Venezuela zbuloi bazën e radhës të prostitucionit.

Darjana Linares u hodh nga dritarja e katit të dytë dhe ra mbi një tendë pas sherrit me një prej klientëve. I riu rrëfeu para autoriteteve se dyshja në fakt kishin nisur një marrëdhënie sentimentale, por vajza zbuloi të gjithë skemën.

Në hetim u vunë 5 vajza, mes tyre 22-vjeçarja Linares dhe shoqet e saj me origjinë nga Kolumbia, Venezuela dhe Spanja, pasi dyshohet se në të njëjtën banesë ushtronin prostitucion.

Në maj të vitit 2024 u zbulua një rrjet prostitucioni homoseksualësh që drejtohej nga një shtetas venezuelian.

Një shtetas nga Venezuela ishte në krye të një rrjeti prostitucioni homoseksual në Tiranë, në të cilën punonin dy shtetas të huaj, njëri 19 dhe tjetri 31 vjeç me qëndrim të përkohshëm në Tiranë.

Banesa që shfrytëzohej si bazë prostitucioni ishte në rrugën “Kongresi i Tiranës”. Nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave 150-300 euro.

Guzman Gil Raibel Joisquel ishte në krye të këtij rrjeti. Ata u zbuluan pasi një klient i tyre italian i kishte denoncuar në polici pasi e kishin detyruar të kryente marrëdhënie seksuale pa mbrojte.

Motër e vëlla, Tritan dhe Bukurie Guni kishin ngritur një skemë të mirëfilltë dhe dyshohet se nëpërmjet shantazhit shfrytëzonin tre të huaja nga Kazakistani dhe një tjetër nga Kolumbia. Tritan Guni u kap në flagrancë në Rrugën e Dibrës në kryeqytet, duke marrë 100 euro, nga dy shtetase të huaja, të cilat dyshohet se i shrytëzonte për prostitucion. E motra u shpall në kërkim.

Në gusht të vitit 2024 u vu në pranga tutorja kineze Yhong Yang, 52 vjeçe. Ajo me mikeshën e saj ishin vendosur Tiranë për të ushtruar veprimtarinë e paligjshme të prostitucionit duke shfrytëzuar vajza të huaja, të cilat i rekrutonin kryesisht nga Kina dhe Filipinet. Bashkëpunëtorja e saj është shpallur në kërkim, ndërsa 7 vajza nga Filipinet që shfrytëzoheshin për prostitucion u vunë në hetim.

Baza kryesore e rrjetit të prostitucionit ishte në një apartament në rrugën ‘Haxhi Dalliu’, pranë Prokurorisë së Tiranës.

Kinezja arrinte të rekrutonte vajza të reja nga Kina dhe nga Filipinet, të cilat i priste në Rinas dhe më pas i dërgonte në ambientin e marrë me qira në afërsi të Prokurorisë së Tiranës. Mirëpo, pasi kinezja Yang u siguronte qëndrimin në vendin tonë dhe i përfshinte në rrjetin e prostitucionit, të rejat e kishin shumë të vështirë për t’u larguar.

Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy kinezet, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave me qëllim që ato të mos largoheshin. Madje njërës prej vajzave i kishin marrë dhe 15 miëj euro, pasi e kishin kanosur me fotot erotike.

Pak kohë pas goditjes së këtij rrjeti u zbulua një tjetër fole prostitucioni.

Një ruse dhe një ukrainase, u vunë në pranga pasi drejtonin biznesin ilegal me 11 vajza.

Anna Tkachenko dhe Elena Maslova u kapën në flagrancë në  rrugën “Naim Frashëri” në kryeqytet, duke marrë shuma parash, nga shtetase të huaja, të cilat dyshohet se i shfrytëzonin për prostitucion.

Në nëntor të vitit 2024 u prangosën dy persona të tjerë që shfrytëzonin shttase kineze për prostitucion. Dy të arrestuarit, gjithashtu kinezë, ishin tutorët dhe i sillnin të rejat në Tiranë duke u premtuar punë si masazhatore, por në fakt i prostituonin ato.

Në Elbasan u arrestuan katër persona, mes tyre edhe dy vajza kolumbiane pasi ushtronin prostitucion në një apartament me qira në Elbasan.

Një javë më pas u zbulua një tjetër fole prostitucioni në Elbasan.

Shtatë persona mes tyre kolumbianë e spanjollë janë vendosur në pranga pasi në lagje të ndryshme të qytetit, kishin përshtatur për shfrytëzim prostitucioni ambiente të marrë me qira.

Si në të gjitha rastet, edhe ata e promovonin këtë aktivitet në faqe online ku ofronin favore seksuale kundrejt pagesave.

Dy tutorët nga Peruja u shpallën në kërkim.

Ndërsa në muajin dhjetor, Policia zbuloi një rast të ushtrimit të prostitucionit në qytetin e Vlorës. Nën hetim u vunë katër vajza nga Moldavia, Kazakistani, Venezuela, dhe Kolumbia.

Këto shtetase bashkëpunonin me njëra-tjetrën, pa pasur një tutor.

Në të njëjtin muaj, një 35-vjeçare nga Azerbajxhani u arrestua nga policia e Tiranës pasi rekrutonte vajza të huaja i shfrytëzonte për prostitucion. Vajzat u hetuan në gjendje të lirë.

Edhe në Durrës u godit një tjetër rast.

Guangtai Lin, 50 vjeç, u arrestua kurse në kërkim u shpallën Guangcheng Lin, 47 vjeç dhe Yanxia Zhang, 45 vjeçe. Kjo e fundit drejtonte vajzat nga Bahrein me pagesat dhe ndarjen e fitimeve, i pari operonte në Shqipëri dhe dy të kërkuarit besohet se vepronin nga Vietnami.

Godtija e radhës u bë në Shkodër ku u zbuluan 8 qëndra prostitucioni. Nën hetim u vunë 13 të huaja të moshës 22-deri në 42 vjeçe, nga Peruja, Azerbajxhani, Brazili , Mali i Zi dhe Kina, si edhe 2 shqiptarë banues në Shkodër.

Viti 2024 u mbyll, por ky aktivitet nuk ndali.

Më 16 janar një shtetas turk është vendosur në pranga nga policia e Tiranës pasi rekrutonte shtetase të huaja nga Kina dhe Kazakistani për prostitucion.

37-vjeçari i reklamonte në rrjetet sociale të huajat duke iu siguruar klientë me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale kundrejt pagesës, në një ambient të marrë me qira.

Të gjitha rastet e ushtrimit tëe prostitucionit kanë një të përbashkët, shtëpi të marra me qira, mujore apo ditore. Rasti i ndodhur në Astir që alarmoi Policinë e Shtetit, edhe pse nuk kishte lidhje me aktivitetin e prostitucionit, duket të ishte një sinjal për autoritetet.

Kush i merr banesat me qira ditore?

A janë kthyer Airbnb një çelës suksesi për çdo veprimtari të paligjshme?

A është kjo e vetmja hapësirë që gjejnë tutorët që drejtojnë gruoe vajzash apo djemsh për prostitucion apo ka edhe punonjës të forcave blu që mbyllin sytë?

Të gjitha këto bashkë bëjnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë të këtyre rrjeteve duke vënë në rrezik çdo familjar që jeton në të njëjtin pallat ku mund të jetë vendosur foleja e radhës./ZËRI/

Advertisement