Politike
Shqipëria po vrapon drejt BE-së mbi themele të brishta, zbulon analiza
Shqipëria po ecën më shpejt se çdo vend tjetër i rajonit drejt Bashkimit Evropian, por një analizë e re e katër think-tank-eve prestigjioze paralajmëron se ky ritëm rekord mund të mbetet “sukses mbi letër” nëse nuk shoqërohet me transformim të thellë politik, institucional dhe shoqëror.
Në thelb, vendi rrezikon të përmbushë kriteret formalisht, por pa krijuar themelet që garantojnë zbatim real dhe afatgjatë.
Policy brief-i është hartuar nga një ekip ekspertësh të fushës së integrimit – mes tyre Wouter Zweers i Clingendael, Dimitar Bechev dhe Iliriana Gjoni të Carnegie Europe, Sébastien Maillard i Jacques Delors Institute, si dhe Milan Nič dhe Nikola Xaviereff të DGAP – të cilët sjellin një vlerësim të ri, më kritik dhe më të thellë mbi dinamikat që fshihen pas përparimit të shpejtë të Tiranës.
Ndryshe nga raportimet rutinë për hapjen e grupkapitujve dhe mbështetjen politike në BE, ekspertët vënë theksin tek ajo që nuk është adresuar mjaftueshëm: mungesa e një qasjeje gjithëpërfshirëse brenda vendit.
Kjo, sipas Zweers, rrezikon të prodhojë vetëm “përputhje formale” me acquis, pa krijuar një kulturë funksionale evropianizimi.
Një tjetër gjetje e freskët – dhe mjaft domethënëse – është paralajmërimi se përballja me kapitujt e drejtësisë dhe sundimit të ligjit nuk po shoqërohet nga kapacitetet e nevojshme administrative dhe teknike.
Dokumenti thekson se reformat po kalojnë me shpejtësi në legjislacion, por zbatimi ulërin pas, ndërsa boshllëqet në gjyqësor dhe presioni mbi institucionet e pavarura mbeten sfida reale.
Në këtë panoramë, SPAK shfaqet si një ndër institucionet më të besueshme, por autorët theksojnë se ai ka nevojë për mbështetje të qëndrueshme dhe mbrojtje nga ndërhyrjet politike.
Dokumenti sjell edhe një qasje të re ndaj pluralizmit politik në Shqipëri.
Sipas përmbledhjes, mungesa e një opozite funksionale dhe dominimi i plotë i pushtetit nga mazhoranca nuk janë thjesht problem i demokracisë së brendshme, por pengesë reale për procesin e integrimit.
Integrimi, theksojnë autorët, nuk është vetëm teknik; kërkon garë politike, kontroll parlamentar dhe debat publik. Pa to, reformave u mungon oksigjeni dhe legjitimiteti.
Një nga paralajmërimet më të drejtpërdrejta të dokumentit lidhet me procesin e vlerësimit të IBAR-it.
Analistët kërkojnë që BE-ja të mos ndjekë logjikën e “momentumit me çdo kusht”.
Përmbledhja thekson se një vlerësim i nxituar, që synon t’i japë Shqipërisë një “po” të shpejtë për të ruajtur ritmin politik, do të dëmtonte vetë besueshmërinë e procesit të zgjerimit.
Për herë të parë në një raport të këtij niveli, Shqipëria paraqitet si një test për BE-në – jo për kapacitetin e vendit për të përmbushur detyrat, por për aftësinë e Unionit për të qëndruar besnik ndaj parimeve të veta.
Një risi tjetër e rëndësishme e analizës lidhet me projektet e mëdha të investimeve, sidomos ato që hyjnë në kategorinë e “investitorit strategjik”.
Dokumenti paralajmëron se këto projekte mund të anashkalojnë standardet evropiane për mjedisin, transparencën dhe prokurimet, duke krijuar zona gri që nuk përputhen me praktikat e BE-së.
Në këtë drejtim, ekspertët kërkojnë që Unioni të flasë më hapur dhe më fort, përpara se vendi të futet në një fazë të avancuar të negociatave ku korrigjimet janë më të vështira.
Ndryshe nga diskursi i zakonshëm që fokusohet tek detyrat e vendeve kandidate, policy brief-i sjell një këndvështrim të ri: edhe BE-ja ka nevojë të përgatitet për Shqipërinë.
Përmbledhja nënvizon se diskutimet mbi traktatin e anëtarësimit, periudhat tranzitore dhe balancimin e reformave të brendshme të Unionit me zgjerimin duhet të fillojnë tani për të shmangur bllokimet e ardhshme politike.
Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy vendet më të avancuara, kërkojnë që BE-ja të jetë po aq e gatshme sa janë vetë vendet aspirante.