Connect with us

Kosova

Shqipëria shpejt drejt BE/ Çfarë mund t’i ndodhë Kosovës me “kufi të fortë” mes dy vendeve

Analisti politik Agon Maliqi paralajmëroi për rrezikun real që brenda 5-7 viteve kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ai me Malin e Zi, të rikthehet si “kufiri i fortë”, pas shumë vitesh si kufi i padukshëm.

“Ky zhvillim pritet të ndodhë për shkak të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe pasojave të mundshme që kjo do të ketë për “provincializimin” ekonomik dhe politik të Kosovës” – ka shkruar Maliqi.

Ai gjithashtu ka theksuar se nëse Kosova dhe Serbia do të kishin zgjidhur çështjet e tyre 5-10 vjet më parë, Kosova do të ishte tashmë në një rrugë integrimi më të ngushtë me Shqipërinë dhe Evropën.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe qasja në fonde shumë më të mëdha financiare do të thellojë edhe më shumë hendekun ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ngjashëm me atë që ka ndodhur në dekadën e fundit mes Kroacisë dhe fqinjëve të saj jashtë BE-së. Kapitali kosovar tashmë po e ndjen këtë ndryshim, me rritjen e dukshme të investimeve direkte në Shqipëri gjatë katër viteve të fundit dhe zgjerimin e biznesit kosovar në sektorë të rëndësishëm atje” – ka potencuar Maliqi

Sipas tij, nuk është larg parashikimit që selitë e kompanive kosovare të transferohen në Shqipëri – një vend anëtar i NATO-s dhe me perspektivë reale për BE – duke e kthyer tregun në Kosovë në një treg dytësor dhe periferik.

Ai paralajmëroi se qytetarët e Kosovës do ta ndjekin këtë trend, duke kërkuar integrimin evropian përmes pasaportës shqiptare apo emigrimit në vendet anëtare të BE-së.

Ky skenar sipas tij është një ironi e hidhur e politikës dhe punës së “patriotëve” që sipas tij, në vend të përparimit, kanë kontribuar në izolimin dhe ngecjen e Kosovës.

 

Advertisement