Aktualitet
Shqiptarët dynden të denoncojnë zaptimin e hapësirave publike

Pak më shumë se 24 orë u deshën për krijimin e një portali rreth denoncimeve për zënien e jashtëligjshme të hapësirave publike dhe shqiptarët, duket se janë përgjigjur.
Kryeministri Edi Rama bëri publike aktivizimin e një platforme online për denoncimin e rasteve, të emërtuar “Hapësira ime Publike” dhe ftoi qytetarët të jenë aktivë në dokumentimin e rasteve të shkeljeve, duke garantuar veprim të shpejtë nga organet përkatëse.
Dhe në fakt, kështu ka ndodhur.
Sipas të dhënave të portalit, mbi 2 mijë e 700 raste janë raportuar në më pak se 48 orë prej qytetarëve dhe një pjesë modeste e tyre, e kanë marrë zgjidhjen menjëherë, kur ndërkaq me mijëra presin përmbylljen e procesit.
Vendodhjet e këtyre raportimeve, nga sa lihet të kuptohet në portal, nuk janë të përcaktuara, por megjithatë harta tregon se ka shpërndarje në të gjithë Shqipërinë.
Nisma vjen në një kohë kur aksioni për lirimin e hapësirave publike është intensifikuar në vend, me aksionin, i cili sipas vetë Ramës, do të vijojë dhe do shtrihet gjatë në kohë.
Sipas ndërfaqe së portalit vetë, ka disa kategori ku mund të raportohet.
Zënia e trotuareve, ndërtimet pa leje, parkingjet e paligjshme, zaptimet në rrugët kombëtare, kantieret e ndërtimit apo ato për ndotje fizike dhe akustike të hapësirës publike, janë ndër opsionet.
“Në rast mosreagimi brenda 24 orësh nga institucionet përkatëse lutemi të plotësoni formularin e ankesës”, shkruhet gjithashtu në portal.
Raportimi bëhet në tre hapa, ku portali fillimisht kërkon një përshkrim të ngjarjes, kategorinë e saj, bashkinë ku ndodh, dhe datën e raportimi.
Hapi i dyti është informacioni për denoncuesin. Përdoruesi mund të zgjedhë të identifikohet përmes e-Albania, i cili është detaj opsional, ose të qëndrojë anonim.
Hapi i fundit është dokumentimi me foto ose video.
Shqipëria drejt një epoke të dytë të Rilindjes Urbane
Shqipëria po nis një epokë të re, e cila ka filluar dhe pritet të gjejë shtrirje të plotë gjatë qeverisjes së katërt të Edi Ramës, pa një afat të caktuar, por pa diskutim jo më pak se katërvjeçare.
Emërtimi për këdo mund të ngjajë i njohur, mirëpo në vend të ngritjes në standard të qendrave të qyteteve, tashmë do të kërkohet e kundërta: Zhbërja e gabimeve, lirimi i hapësirave publike, hartimi i një strategjie për t’i pasur gjithnjë nën kontroll.
Një Rilindje Urbane 2.0, e cila me gjasë, do të zgjasë katër vjet.
Kështu ka bërë me dije kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një komunikimi me ndjekësit në platformën Facebook, ku ka shpjeguar se si procesi do të jetë konstant në mandatin e tij të katërt.
“Nuk është aksion apo sulm veror. Dhe ata që thonë se pse nuk e lije dot për në dimër, jo nuk e linim dot në dimër”, shpjegon ai i prerë në komunikim.
Një sqarim më i imtësishëm, siç shpjegon vetë kreu i Qeverisë, do të vijë edhe në shtator, me nisjen e legjislaturës së re dhe formimin e Qeverisë së re.
Por, industria nuk mund të lejohet, artikulon ai, të bëjë si të dojë me hapësirat publike.
Një zë të veçantë tregon se do t’ia kushtojë edhe plazheve, teksa ka garantuar se do të merren masa radikale për to.
Ndërsa, “shkundjen e bashkive”, e ka quajtur një domosdoshmëri dhe pushteti vendor, duhet të ngrihet në një nivel tjetër, sipas Ramës.
Shqipëria ndërkaq po përgatitet për një rregullore kombëtare për rregullimin e hapësirave publike dhe vendosjen e kufijve aty ku duhet.
Lajmin e ka bërë me dije kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka folur edhe për këtë çështjen me ndjekësit në media sociale.
Sipas Ramës, bëhet fjalë kryesisht për ndërtimet e çmontueshme dhe me aksionin që ka nisur, ai thotë se është parë se ka mirëkuptim dhe ato po çmontohen.
Por, edhe në rastet kur nuk ndodh diçka e tillë, është ndërhyrë.
Kreu i Qeverisë, nuk e sheh aksionin si një sulm ndaj sipërmarrësve, teksa thellohet duke shpjeguar se po përgatitet rregullorja për të vendosur kufijtë e qartë të hapësirës publike.
Do të ketë të gjithë hapësirën edhe për njësitë tregtare, por pa kapërcyer kufirin që është i komunitetit. Në fund kam edhe elementin e teknologjisë. Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe para pak ditësh, një nga institutet më prestigjioze në botë të qeverisjes, të matjes së parametrave të qeverisjes, e përcaktoi Shqipërinë si një nga yjet në ngjitje të hapësirës evropiane së bashku me katër vende të tjera për reformat dhe transformimin”, përmendi kryeministri më tej.
Për të, Shqipëria sot është diçka tjetër dhe shumë aspekte e reflektojnë këtë gjë.
“Teknologjia do të na ndihmojë në këtë fazë, që siç kemi kaluar te faza ku të gjithë ngrini llaç e ngrinin mure, kalojmë te faza që s’do të ketë më. Teknologjia do të na çlirojë nga ky fenomen duke e reduktuar në maksimum”, përmbylli ai.

