Aktualitet
Shqiptarët kryesojnë listën për martesa false në Britani
Qindra njerëz që përdorin martesat false për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar nuk ndiqen penalisht dhe mbeten në këtë vend.
BBC News ka marrë shifra që tregojnë se 365 çifte janë përpjekur të shfrytëzojnë këtë skemë mashtrimi post-Brexit duke u dhënë qytetarëve të BE-së dhe bashkëshortëve të tyre të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.
Askush me një martesë të rreme nuk është larguar në 2 vitet e fundit dhe largimi i fundit është bërë 4 vjet më parë. Zyra e Brendshme tha se kishte bërë më pak hetime gjatë pandemisë.
Në vitin 2018, Skema e Daljes nga BE përcaktoi se si qytetarët e Bashkimit Evropian, bashkëshortët dhe anëtarët e familjes së tyre mund të vazhdonin të jetonin në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata duhej të ishin rezident deri në dhjetor 2020 dhe të aplikonin për leje qëndrimi. Bashkëshortët nga çdo vend kishin të drejtë të aplikonin.
BBC News ka zbuluar se çiftet janë përpjekur të shfrytëzojnë në mënyrë mashtruese skemën duke hyrë në martesa të rreme. Disa individë e bëjnë këtë për para. Shpesh përfshihen bandat e krimit të organizuar.
Të gjitha martesat e propozuara ku njëri prej partnerëve nuk ka status imigrimi i referohen Home Office për hetim. Kërkesat e BBC për informacionit kanë zbuluar se ndërmjet marsit 2018 dhe fundit të shtatorit 2021, ka pasur 365 martesa midis një shtetasi të BE-së dhe një shtetasi jo-BE që u gjetën të rreme.
Ndjekjet e fundit penale ishin në vitin 2018, kur u dënuan 9 persona dhe 4 prej tyre u larguan. Që nga viti 2020, askujt nuk i është hequr leja për të qëndruar.
Shtetas të 60 vendeve, duke përfshirë shumicën e shteteve të BE-së janë të përfshirë. Shqipëria kryeson tabelën e vendeve me 146 persona të përfshirë.
Dr. Ervin Muço nga Shqipëria i tha BBC Neës se njerëzit paguanin bandat kriminale për atë që e shihnin si një biletë për një jetë të re.
“Këto rrjete dinë të mashtrojnë sistemin dhe po bëjnë para nga njerëzit që janë të përgatitur të paguajnë. Vitet e fundit, shumica e meshkujve shqiptarë që janë larguar nga ky vend kanë shkuar në Itali apo Greqi, por disa prej tyre nuk kanë mundur të marrin nënshtetësinë në këto vende.
Kështu që disa përpiqen të gjejnë gra nga vendet evropiane me të cilat mund të martohen. Ata mund të kenë të gjitha përfitimet e të qenit qytetar evropian. Dhe për shkak se Britania ishte anëtare e BE-së, shumë shqiptarë janë tërhequr nga Britania e Madhe” – tha ai.
Ish-shefi i policisë Krenar Ahmeti që tani jep mësim në Universitetin e Tiranës, pranon se bandat e krimit janë thelbësore.
“Çdokush që aspiron të jetojë në një vend të pasur e di se ka disa dokumente kyçe që u nevojiten nëse do të integrohen në atë shoqëri, por ata gjithashtu shpesh kanë nevojë për një organizatë për t’i ndihmuar ta arrijnë këtë” – tha ai.
Zyra e Brendshme Britanike i tha BBC: “Siç e pret me të drejtë publiku, ne e marrim shumë seriozisht abuzimin me rrugët e imigrimit të bashkëshortëve dhe partnerëve – dhe të sugjerosh ndryshe është e gabuar.
Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime përmbarimore kundër individëve që gjenden në një martesë të rreme ose partneritet civil, duke përfshirë anulimin e lejes së tyre dhe largimin e tyre nga MB” – thuhet në reagim.