Aktualitet
Shtëpi të përmbytura, banorët thirrje shtetit: Na kompensoni dëmet
Situata e paqëndrueshme e motit në Kuçovë, ka bërë që të përmbyten shumë ndërtesa. Në lagjen “1 Maji”, mësohet se janë përmbytur 15 banesa. Banorët shprehen për mediat se uji i rrëmbyeshëm në rrugë, për shkak të shirave të vazhdueshëm, ka lënë shumë dëme materiale në banesat e tyre, duke nisur që nga orenditë e deri tek elektro-shtëpiaket.
Banorët theksojnë se shkak sipas tyre ka qenë bllokimi i kolektorëve, të cilat nuk janë pastruar për vite me radhë, ndërsa i bëjnë thirrje pushtetit vendor që t’i ndihmojë duke vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe duke u dhënë ndihmë financiare.
Ndërkohë edhe në fshatin Perondi është dëmtuar një sipërfaqe rreth 60 hektar, në fshatin Magjatë 50 hektar dhe në fshatin Gorraj 45 hektar, dhe kjo ka ndodhur pikërisht në kohën kur korret gruri.