“Nëse regjimi iranian refuzon të angazhohet në një zgjidhje diplomatike dhe paqësore, për të cilën presidenti vazhdon të jetë i interesuar, pse populli iranian nuk e largon nga pushteti këtë regjim tepër të dhunshëm që i ka shtypur ata për dekada të tëra”? tha për Fox News Caroline Levitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Më pas, ajo deklaroi në konferencën për shtyp se iranianëve u janë dërguar mesazhe “publike dhe private” pasi SHBA-të bombarduan tre objekte bërthamore iraniane.

Levitt përsëriti se këto objekte ishin “shkatërruar plotësisht”. “Ky është një operacion që shumë presidentë e kanë ëndërruar në të kaluarën , por askush nuk ka pasur guximin ta bëjë, dhe Presidenti Trump e ka bërë”, tha ajo.

Mbrëmë, Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth: “Nuk është politikisht korrekte të përdoret termi ‘ndryshim regjimi’, por nëse regjimi aktual iranian nuk është i aftë ta BËJË IRANIN PËRSËRI TË MADH, pse të mos ketë ndryshim regjimi”?

Sot, mes frikës së hakmarrjes iraniane, zëdhënësja e presidentit amerikan tha se Uashingtoni po “monitoron në mënyrë aktive situatën në Ngushticën e Hormuzit dhe se regjimi iranian do të ishte budallallëk të sulmonte” këtë rrugë strategjikisht të rëndësishme detare, përmes së cilës transportohet 20% e naftës botërore.

Përballë kritikave nga disa kongresmenë dhe senatorë demokratë, të cilët e akuzojnë Trumpin për tejkalim të kompetencave të tij për të nisur këtë sulm ndaj Iranit, Levitt argumentoi se “Presidenti veproi brenda autoritetit të tij të ligjshëm, sipas Nenit II të Kushtetutës, si komandant suprem i Shteteve të Bashkuara”.