Connect with us

Aktualitet

‘Shtëpia e barit’ në Peqin, Policia: Arrestohet punonjësi i OSHEE…

Detaje të reja kanë zbuluar nga ‘shtëpia e barit’ që u zbulua ditën e djeshme në Peqin. Nga ngjarja është vënë në pranga punonjësi i OSHEE-së për shpërdorim detyre, ndërkohë që janë shpallur në kërkim dhe 4 persona të tjerë.

Nga personat që janë shpallur në kërkim 2 të afërm me njëri-tjetrin të dyshuar si autorët e kultivimit të kanabisit. Mes personave që akuzohen si autor është dhe vëllai i drejtorit të burgut të Rrogozhinës Bilal Hasa. Gjithashtu është njoftuar se janë sekuestruar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë narkotike kanabis, një pjesë e të cilave u asgjësua me anë të djegies.

 

Njoftimi i Policisë:

Vihet në pranga 1 shtetas për “Shpërdorim detyre” dhe shpallen në kërkim 2 autorë të dyshuar (të afërm me njëri-tjetrin), si dhe 2 shtetas të tjerë për “Shpërdorim detyre”. Sekuestrohen 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë narkotike kanabis, një pjesë e të cilave u asgjësua me anë të djegies. Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Kurtaj”, i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, Bashkia Peqin, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë vijuar veprimet hetimore dhe verifikuese.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se, në këtë ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, janë konstatuar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë e fidanë të dyshuar kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike që shërbenin për këtë veprimtari kriminale. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 23 vjeç, banues në Gjocaj, Peqin, me detyrë faturist i energjisë elektrike, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: -R. H., 30 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pronar i ambienteve ku u gjetën bimët narkotike; -E. H., 24 vjeç, banues në Kurtaj (i afërm i shtetasit R. H.), i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; -E. M., 36 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”; -D. E., 34 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje dhe materiale të përdorura për këtë veprimtari kriminale, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies. Në lidhje me informacionin e dhënë ditën e djeshme, ku u shpallën në kërkim shtetasit B. H. dhe E. M., sqarojmë se shtetasi B. H, u paraqit vetë pranë strukturave të Policisë.

Nga veprimet hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë rezultoi se ambientet ku u konstatua veprimtaria kriminale janë në pronësi dhe në administrim të vëllait të tij, shtetasit R. H. Në vijim, shtetasi B. H, është lënë i lirë, pasi nuk rezulton i implikuar në këtë veprimtari kriminale. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, hetimet vijojnë me intensitet të lartë, me qëllim grumbullimin dhe dokumentimin e çdo prove që lidhet me këtë veprimtari kriminale, si dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Një shtëpi bari është zbuluar ditën e djeshme në Peqin. Gjatë aksionit të policisë janë gjetur rreth 4 mijë rrënjë kanabis në banesën e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa. Hasa u arrestua nga policia dhe më pas u la i lirë, pasi deklaroi se nuk kishte dijeni për narkotikët dhe se ambienti përdorej nga i vëllai. Hasa është pezulluar nga dretyra dhe po hetohet nga Prokuroria e Elbasanit në gjendje të lirë.

Advertisement