Kronike
‘Shteti e ka dhënë Shkodrën me koncesion’/ Shpërthen Artan Hoxha: Bandat kanë buxhet më të madh se Ministria e Brendshme

Atentati i fundit në Shkodër me dy të vrarë dhe dy të plagosur ka rikthyer edhe një herë vëmendjen te prania e fuqishme e grupeve kriminale në kryeqendrën e veriut.
Gazetari Artan Hoxha duke folur për ngjarjet e fundit kriminale në Shkodër tha se “shteti e ka dorëzuar qytetin, duke e lënë në mëshirë të bandave”.
Sipas tij, grupet kriminale që veprojnë në këtë zonë janë të organizuara që nga vitet ’90 dhe disponojnë fonde më të mëdha sesa vetë Ministria e Brendshme. Ai ngriti shqetësimin se shumë prej ngjarjeve të rënda që ndodhin në qytet mbeten pa autorë, duke shtuar klimën e pasigurisë tek qytetarët.
Gazetari kërkoi ndërhyrje në nivel kombëtar për të frenuar përshkallëzimin e dhunës dhe për të çmontuar lidhjet mes krimit të organizuar dhe politikës. Hoxha tha se tashmë është shumë vonë për të luftuar këto grupe kriminale, pasi ato kanë lidhje të forta me pushtetin në Shkodër.
Artan Hoxha: Sot kemi organizata të mirëfillta. Ata kanë operuar që në vitet e para të viteve 1990. Kemi të bëjmë me struktura kriminale që kanë buxhet më të madh dhe se Ministria e Brendshme. Mbi të gjitha kemi struktura që marrin në dorë strukturën shoqërore të një ngjarjeje. Ashtu siç është trajtuar Shkodra, një pjesë janë larguar ose në Tiranë ose jashtë vendit. Në këtë ngjarje kemi diçka të veçantë sepse autori u kap shumë shpejt.
Kjo ishte ngjarja e radhës e përplasjes mes grupeve. Ende konfliktet në Shkodër nuk janë zgjidhur. Sa herë dëgjojmë histori me fajde, këta japin para me fajde, sepse këta ua japin personave që nuk iu marrin vetëm para, por edhe biznese e prona. Shteti e ka dhënë Shkodrën me koncesion. Shumë ngjarje në Shkodër nuk kanë autorë. Bardhok Pllana u vra dhe nuk ka autor, Mir Koçiu u vra dhe nuk ka persona të prangosur. Në Shkodër është një litar i trashë krimi.
Ia kam thënë kryeministrit në sy, se Shkodra sot nuk ka problem krimin e rrugës, por krimin e organizuar. Atje po ndodh që ka viktima e të plagosur që janë krejt të pafajshëm. Duhet një operator kombëtar që të zbardhë ngjarjet në Shkodër. Nëse lejon që kriminelë të emërojnë deputetë, ministra etj, tregon se ata kanë lidhje me pushtetin, derisa marrin dhe fonde publike, sepse kanë marrëveshje me pushtetin. Shkodra ngjan me Palermon e viteve 80’. Strukturat tona kanë dështuar.

