Kosova
SHUHEN shpresat pasi Kurti refuzoi Berlinin, Romën e Parisin
Bazuar në deklarimin e fundit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se nuk do ta dërgojë propozimin europian për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese dhe në kërkesat e tre kryeqyteteve europiane Berlinit, Parisit e Romës që kjo të ndodhë, Kosova e ka humbur shansin të anëtarësohet në KiE. Teknikisht, Qeveria nga sot i ka edhe 6 ditë, pra deri më datën 16 maj që ta çojë dokumentin në Gjykatë, pasi një ditë më vonë mblidhet Komiteti i Ministrave. Kryediplomatët e vendeve anëtare po atë ditë mund ta fusin në agjendë votimin për anëtarësim të Kosovës. Por, shanset që palët të tërhiqen nga qëndrimet e tyre duken të vogla.
Tre krerët e vendit nënshkruan një letër që iu dërgua raportueses Dora Bakoyannis ku u zotuan për zbatim të pikës për Asociacionin si një kusht pas anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës. Me këtë zotim dhe bashkë me vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit, kryeministri Kurti konsideroi që ka përfunduar kushtet e kërkuara që Kosova të ketë të njëjtin sukses në votimin e Komitetit të Ministrave sikurse në Asamble. Por telefonatat që mori nga kancelari gjerman e presidenti francez ndryshuan bindjen optimiste të Kurtit. Kosova tashmë më shumë gjasë as nuk do futet në agjendën e kësaj mbledhje të ministrave të Jashtëm. Megjithatë, kjo nuk dihet me saktësi deri më 17 maj kur miratohet agjenda finale.
Zëdhënësi i Këshillit të Europës, Dusan Vojnovic, tha se deri në këtë fazë kërkesa e Kosovës për anëtarësim nuk është futur në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ndërsa kishte potencuar se puna e këtij organi është konfidenciale.
Sidoqoftë, nuk dihet ende nëse kjo do të mbesë kështu meqë deri më 17 maj nuk do të jetë finale agjenda e mbledhjes së majit.
Presidenca e Lihtenshtajnit më herët kishte thënë se janë duke zhvilluar konsultime për atë se a do të futet në agjendë anëtarësimi i Kosovës gjatë ministerialit të vendeve anëtare në Strasburg.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në biseda të ndara telefonike i bënë të njëjtën kërkesë Kurtit që të ndërmarrë hapa konkretë dhe urgjentë drejt Asociacionit para se të mblidhen ministrat e Jashtëm. Këtij qëndrimi i dha mbështetje edhe SHBA, e cila e udhëzoi Kosovën që të dëgjojë partnerët europianë.
Përgjigjja e Kurtit erdhi disa ditë më vonë në një mbledhje të Qeverisë.
Ai fillimisht u ankua se “pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundim të ligjit dhe vlerësime pozitive nga vetë Këshilli i Europës, në këto javët e fundit u përballëm me një kusht të ri”, për të cilin tha se nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.