Connect with us

Bota

Si do ta sigurojë SHBA sigurinë e Ukrainës, në rast të një marrëveshje paqeje me Rusinë?

Në zemër të çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje të përhershme mes Ukrainës dhe Rusisë do të jetë një lloj garancie sigurie, me qëllim që të pengohet Rusia të sulmojë sërish Ukrainën.

Deri tani, SHBA ka qenë hezituese për të bërë ndonjë angazhim në këtë drejtim, duke ia lënë këtë detyrë Britanisë dhe Francës me të ashtuquajturin “koalicioni i të gatshmëve”. Por pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë të hënën, presidenti amerikan Donald Trump tha se këto garanci sigurie mund të plotësohen nga vendet evropiane “në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara”.

Po çfarë forme mund të marrë kjo? Në vija të trasha, ekzistojnë katër mundësi:

Trupa në terren – Kjo konsiderohet më pak e mundshme. Donald Trump e sheh këtë luftë si një problem evropian. Që ai të angazhojë trupa tokësore, qoftë edhe si paqeruajtëse, në një konflikt që ai e kundërshton thellësisht, do të kërkonte një kthesë të madhe në qëndrim.

Patrullime ajrore dhe detare – Kjo është më e imagjinueshme. SHBA-të tashmë kanë kryer fluturime vëzhguese për të monitoruar ecurinë e luftës. Por ka një ndryshim të madh mes një fluturimi zbulues jo-konfrontues ose një patrullimi detar dhe një përplasjeje të armatosur me një fuqi bërthamore si Rusia.

Zbulimi – Inteligjenca ajrore dhe satelitore amerikane ka qenë jetike për ndihmën ndaj Ukrainës në ndalimin e përparimit të forcave pushtuese ruse. Në rast të një marrëveshjeje paqeje të pranuar nga të gjitha palët, kjo është një fushë ku SHBA-të ka shumë gjasë të ndihmojnë.

Logjistika – Cilado qoftë forma që do marrë forca e “garancisë” e udhëhequr nga Britania dhe Franca pas një marrëveshjeje paqeje, ajo do të ketë nevojë për mbështetje të madhe logjistike – dhe kjo është një fushë jo-luftarake ku SHBA-të ndoshta do ndihmonin me dëshirë. – BBC

Advertisement