Connect with us

Shkrime

Si gjyq “divorci”…

Nga Artur Ajazi

Procesi gjyqsor mes Berishës dhe Alibeajt, është shtyrë edhe kësaj here, për në datën 6 Dhjetor 2022. Kryetari i “Primareve”, sërish u gjend i papergatitur, duke i rritur më tepër ankthin e vendimit të procesit gjyqsor. Duket si një gjyq “divorci” që zgjatet dhe zgjatet, duke dashur me demek “pajtimin mes palëve”, por derisa shanset e bashkëpunimit mes Berishës dhe Alibeajt duken të humbura, edhe procesi gjyqsor ndoshta i tillë do të rezultojë. Berisha, natyrisht po lëviz të gjitha “gurët”, nga paralajmërimi se “nuk ka njeri të prekë flamurin e PD”, deri tek presioni se “ai gjyqtar që do të japë vendim antiligjor, do të përballet me PD”.

Por vërtetë mund të ndodhë kjo gjë ? Berisha padyshim njihet si njeriu dhe politikani që ka 32 vjet që konteston votën e lirë, rezukltatin e saj, zbatimin e ligjit, pa harruar vendimet e gjykatave. Ai nuk kundërshton, vetëm kur rezultati apo vendimi i gjykatave, janë në anën e tij. Kjo ka qenë dhe është një tregues i qartë i pandryshueshmërisë, së njeriut që pretendon se “ka qenë, është, dhe do të mbetet përjetësisht lideri i partisë tij”. Në fakt, procesi gjyqsor për të ndarë se kujt i takon partia, është kthyer në ankth të madh për Berishën. Ai e di fare mirë se, edhe sikur vendimi të jetë “pro” tij, sërish nuk ndryshon asgjë. Baza e partisë, anëtarësia dhe grupimi parlamentar, janë dhe do të mbeten të ndarë, ca të Berishës, dhe ca të Alibeajt. Dështimi i bisedimeve (ose i paqes mes tyre) mes Palokës njeriut besnik të Berishës, dhe Gazmend Bardhit, ishte trokitja e fortë duke i kujtuar ish-liderit historik se, “fitorja e PD kalon më parë prej nesh”.

Situata në të cilën gjendet sot partia kryesore opozitare, dhe pamundësia e gjetjes së rrugëve të ribashkimit, kanë shanse të sjellin jo vetëm ndarjen e madhe, por edhe formimin e shpejtë të një partie të re, e cila do të lindë nga “partia mëmë”. Mendoj se do të ishte e udhës, që këtë veprim ta bënte pa vonesë Sali Berisha, pasi nuk ka shanse të fitojë as bashkinë e Shkodrës, në rast se futet në zgjedhje me flamur dhe logo tjetër, edhe pse shpreson në një vendim ndryshe të Apelit. Në politikën shqiptare, historia e “kompromiseve” gjithmonë ka qenë konspirative dhe dështake. Edhe pse dukej sikur “arrinin kompromisin mes tyre”, do të ishte dikushi (më shpesh ai vinte nga PD) që do të fshinte gjithçka, dhe riniste avazin e vjetër.

Në çdo rast Sali Berisha, kurrë nuk i ka qëndruar besnik marrëveshjeve dhe kompromiseve, ndaj dhe arritja e një të tille mes tij dhe Alibeajt, duket e pamundur derisa vendimi i Apelit, të ndajë përfundimisht “shapin nga sheqeri” mes tyre. Interesi më i madh, është ai i konsolidimit të një opozite solide dhe konstruktive, por pa Berishën kryetar, ndërkohë që shtyrja e dhënies së vendimit nga Apeli, veçse ka rritur tensionin në selinë e asaj partie. Gjithsesi një gjë është e qartë, deri në 14 Maj, Partia Demokratike patjetër do të ketë “pronarin” e saj, duke shpresuar që ky të jetë jo Berisha, por një tjetër që do të sillte ndryshimin e pritur në kampin opozitar.

Advertisement