Connect with us

Rajon

Si ndodhi tragjedia në Mal të Zi dhe si u vra Boriloviç

MAL I ZI- Vuk Boriloviç nga Cetinja, dje vrau 10 persona, e plagosi 6 të tjerë. Autoritetet thonë se ende nuk e kanë zbuluar arsyen se përse Boriloviç (34 vjeç) vendosi të kryente atë “akt të urryer”, derisa u qëllua për vdekje nga Policia. Por si ndodhi tragjedia e madhe dhe si u vra Boriloviç?

Sipas të dhënave zyrtare, Boriloviç hyri në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 dhe vrau njëmbëdhjetë vjeçarin M. në derë, pastaj vëllanë e tij tre vjet më të vogël, dhe më pas qëlloi nënën e tyre – Natasha Pajović Martinoviç, e cila kishte dalë në dritare. Pasi i ka vrarë, ka telefonuar babanë dhe bashkëshortin e tyre, Millosh Martinoviçin dhe i ka thënë: Kam vrarë familjen tënde dhe timen.

Në 45 minutat e ardhshme, ai hyri në shtëpinë e fqinjit ku vrau bashkëqytetarët e moshuar – Danijela dhe Dimitrije Drecun dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Drecun (32 vjeç). Në prag të asaj shtëpie ka vrarë edhe djalin e tyre Rajko Drecun (56), i cili ka vrapuar drejt shtëpisë kur ka dëgjuar të shtënat.

Boriloviç vrau edhe fqinjin e tij Milan Mitroviç (37), e më pas dajën e tij Goran Gjurishiç (54), dhe më pas, duke zbritur në rrugë, vrau fqinjët Aleksandra (52) dhe Danijela Radunoviç (51). Ai plagosi edhe katër fqinjë të tjerë – Sllavica Zvicer, Filip Gjurkoviç, Mileva Ramadanoviç dhe Darinka Çelebiç, si dhe polici Ljubisha Maksimoviç, i cili po përpiqej ta qetësonte vrasësin.

Ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit plagosi rëndë edhe një polic, e për asnjë moment nuk iu bind thirrjeve për t’u dorëzuar, ndaj dhe efektivët e Policisë u detyruan që ta qëllonin për vdekje. Aktualisht 6 nga të plagosurit e Boriloviç ndodhen në spital, ku njëri është në gjendje të rëndë për jetën.

Advertisement